Nëse kreu i ASH-së Arben Taravari i bashkëngjitet në Frontin Europian, Sela tha se do të ketë qëndrimet e tij për këtë çështje. Takimin e kreut të BDI-së Ahmeti me Taravarin, Sela për momentin e konsideron legjitime, si takim të dy krerëve të dy subjekteve të ndryshme. Tha se kjo temë nuk është trajtuar në kuadër të Frontit.
“Aleanca për Shqiptarët është pjesë e Frontit Europian dhe ne kemi të drejtën në mënyrë hipotetike ta themi kur të hapet ky debat në kuadër të Frontit Europian”, shtoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Sela mohoi të jetë takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski, e nëse takohet, tha se do të bisedojnë për ndryshimet kushtetuese dhe anëtarësimin e vendit në BE.
“As nuk jam takuar dhe as nuk kam të planifikuar ndonjë takim me kryeministrin e vendit. Në momentin që do të ketë ndonjë takim do t’u informojmë nuk ka asgjë të keqe, vetëm se të jeni të sigurt në qoftë se realizohet një takim i tillë, Ziadin Sela dhe ASH është e interesuar të diskutojë për tema reale”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Sela tha se gjithashtu do të kërkojë një ndryshim të Kushtetutës në pjesën për gjuhën shqipe, si dhe një ndryshim në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sipas parimit të Badenterit.