Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pasur takim me udhëheqësit e partive opozitare.
Zhvillimet e fundit në veri, gjendja aktuale në vend dhe dokumenti franko-gjerman, pritej të ishin tema diskutimi dhe eventualisht të reflektohej një ‘bashkim’ para temave me rëndësi nacionale, por takimi i sotëm as nuk iu përafrua këtyre pritshmërive. Përkundrazi!
Kryetarët e PDK-së, LDK-së e AAK-së, i shkuan në zyrë qysh në mëngjes Kurtit. Megjithatë, nuk mbetën fort të kënaqur nga ajo që u tha në takim.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk qëndroi gjatë në takimin ku e ftoi kryeministri Kurti. Ai doli nga qeveria dhe nuk foli për gazetarët. Megjithatë, qëndrimin e tij e dha në Facebook. Ai deklaroi se Kurti po u mbante ligjërata.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin, sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, shkroi Haradinaj Facebook, transmeton Syri.net Kosova.
Në anën tjetër, edhe ata që qëndruan deri në fund në takim, nuk është që mësuan diçka të re.
Kështu të paktën deklaruan vetë Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh para gazetarëve se nuk ka siguri nëse Kurti do të mund ta mbajë gjendjen nën kontroll.
“Siç e dini, unë ia dërguar një letër kryeministrit lidhur me situatën në veri, kemi hyrë në situatë që nuk ka epilog të qartë dhe eskalimi është i mundur”- deklaroi Krasniqi.
“Patëm diskutim si është situata, si ka ardhur deri këtu. Isha i interesuar t’i dëgjoja planet, nuk mund të them se dola me një siguri të madhe që Qeveria e di ku është duke shkuar dhe çka duhet të bëjë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Në këtë moment, Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Qeveria t’i ndërmarrë veprimet që i takojnë. Do ta ketë përkrahjen e PDK-së për veprime të cilat i ruajnë sukseset pas pavarësisë, me integrimin e komunitetin serb në të gjitha institucionet dhe ruajtjen e sovranitetit”, theksoi Krasniqi.
Mendoj që sot kemi një situatë që ka mundur të shmanget. Papjekuria dhe mungesa e koordinimit me aleatët duket sa kanë sjellë momentum që mund të shmangej. Ne kemi diskutuar edhe për dialogun, edhe për propozimin franko-gjerman”- deklaroi Krasniqi në fund.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike që kryeministri i ka pasur, e gjithashtu nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të vendit. E gjithashtu nuk pamë as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”, deklaroi Abdixhiku.
“Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASh-in, me institucionet e sigurisë amerikane, aleatët në Uashington dhe Bruksel, është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bjerë pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd”– tha ai.
Është jetike që Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Një Qeveri që i kërkon popullit të zgjedhë mes aleatëve dhe ligjshmërisë, ka bërë gabim. Ne kërkojmë që kjo Qeveri t’i sigurojë edhe ligjshmërinë, edhe aleatët e vet”, tha në fund Lumir Abdixhiku.
E krejt në fund, erdhi edhe reagimi i kryeministrit Kurti për takimet që i pati me liderët opozitarë.
Nuk është se Kurti dha ndonjë deklaratë se çfarë u bisedua, por tha fare shkurt se ‘takimet shkuan mirë’.
Duhet theksuar se, kryeministri Kurti, mbajti dje një konferencë për media, ku dha hollësi për gjendjen e sigurisë, ndërsa foli edhe për planin franko-gjerman.
“Unë thashë shumë qartë se qëllimi i Beogradit nuk është për të mos e pranuar planin, por për ta maskuar refuzimin e planit. Ata e kanë refuzuar planin, por duan ta maskojnë refuzimin. Ata po i bëjnë këto drama për këtë çështje”– tha Kurti.