Sipas ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov të gjitha problemet me të cilat përballet Ballkani rrjedhin nga Perëndimi, që nga koha e shkatërrimit të ish Jugosllavisë.
Lavrovi sot në konferencën për media në margjinat e Takimit të 30-të Ministror në Shkup, i cili po mbahet paralelisht me sesionin e tretë të takimit, në pyetjen e MIA-s në lidhje me atë se si Rusia e sheh agresionin identitar ndaj Maqedonisë së Veriut nga përfaqësitë bullgare dhe nëse ato kanë prapavijë ruse u përgjigj se nuk është njohës i madh në marrëdhëniet maqedonase-bullgare dhe theksoi se sipas tij, problemet për rajonin kanë rrënjë nga Perëndimi, gjegjësisht pas shkatërrimit të Jugosllavisë.
“Nuk jam njohës i madh i marrëdhënieve maqedonase-bullgare, mund të them vetëm se njerëzit në Maqedoni kanë të drejtën e plotë të jenë të barabartë në të gjitha aktivitetet në kontinentin tonë të përbashkët. Dhe jo vetëm për marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë, por për të gjitha vendet e Ballkanit, do të thosha se rrënja e të gjitha problemeve ballkanike qëndron në sjelljen e fuqive perëndimore, veçanërisht për vendet e ish-Jugosllavisë. Mbaj mend që Maqedonia me vite quhej Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe ky ishte një emër poshtërues dhe ne e dimë gjithashtu se çfarë ndodhi me emrin Maqedonia e Veriut. Më kujtohet gjithashtu se kryetari i Kuvendit të Maqedonisë kishte fotografi me flamurin shqiptar, të bëra në zyrën e Kuvendit”, tha Lavrovi.
Sipas tij Perëndimi gjithmonë ka pasur interes që t’i nxit popujt njëri kundër tjetrit. “Jam i sigurt se popujt në Gadishullin Ballkanik kaluan tranzicione të rënda historike, kanë kod të përbashkët dhe nuk guxojnë të mposhten dhe të lejojnë Perëndimin që të bëhen armiq njëri me tjetrin”, tha Lavrovi.
Ai tha se i inkurajon grupet etnike në Ballkan që të jetojnë të qetë dhe t’i çrrënjosin të gjitha ambiciet nacionaliste. Ju bëri thirrje edhe që të mos përfshihen në sanksionet e Rusisë, vetëm, siç tha, që të përmbushin ambicie të caktuara perëndimore.