Liria e medias dhe siguria e gazetarëve mbeten shtylla thelbësore të një shoqërie demokratike. Ministria e Brendshme thekson se vazhdon bashkëpunimin aktiv me shoqatat dhe institucionet që punojnë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së gazetarëve informon Tetovasot.
Në këtë drejtim, në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë është vendosur një lidhje me regjistrin e sulmeve ndaj gazetarëve të udhëhequr nga AGM, ku pasqyrohen rastet e shkeljeve të të drejtave të gazetarëve, me detaje mbi llojin e sulmit, vendndodhjen dhe statusin e procedurës.
Nga MPB njoftojnë se është caktuar një pikë kontakti për rastet që lidhen me gazetarët, e cila ka ndihmuar në zgjidhjen më të shpejtë dhe efikase të këtyre rasteve. Gjithashtu, është në proces formimi Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organ ndërdepartamental që do të miratojë një Plan Kombëtar Veprimi për sigurinë e punonjësve të medias.
Koordinimi midis policisë, prokurorisë dhe organizatave gazetareske vlerësohet si i lartë, duke kontribuar në zgjidhjen më efikase të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve. Ministria thekson se ky bashkëpunim do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen, duke u udhëhequr nga motoja “Gjithmonë mund të jetë më mirë”.
Manuali i Sigurisë së Gazetarëve, i përgatitur në bashkëpunim me SHGM-në dhe Prokurorinë Publike, tashmë është në zbatim dhe vitin e kaluar është përditësuar, ndërsa pritet të rinovohet vazhdimisht për të ngritur më tej nivelin e sigurisë.
Ministria e Brendshme u bën thirrje gazetarëve që përballen me kërcënime, sulme ose presione të raportojnë menjëherë rastet, duke theksuar se autorët do të sanksionohen dhe e drejta e publikut për informim të lirë do të mbrohet me vendosmëri.
“Së bashku me punonjësit e medias dhe organizatat e shoqërisë civile, po ndërtojmë një mjedis të sigurt ku gazetarët mund të ushtrojnë profesionin e tyre lirisht dhe pa frikë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.TS