Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për herë të katërt radhazi, pasi nuk u arrit konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ta shtyjë atë për të mërkurën në orën 10:00, pas kërkesës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Konjufca arsyetoi shtyrjen duke theksuar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje paraprake mes partive do të sillte përsëritjen e situatave të mëparshme, kur mungesa e shumicës e bllokoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në këtë kontekst reagoi edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se kërkesa për shtyrje ishte një qëndrim korrekt në përpjekje për të gjetur zgjidhje.
“Besoj që ishte një qëndrim korrekt për të gjetur rrugë. Në fund të fundit kjo është mënyra e funksionimit, e bashkëpunimit e gjetjes rrugë. Unë besoj që nga sot do të bëhet përpjekje për tu afruar”, ka thënë Limaj.