16 C
Tetovo
E diel, 6 Tetor, 2024
BallinaLajmeShtyhen përsëri punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve në Tetovë

Shtyhen përsëri punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve në Tetovë

Punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve në Tetovë janë shtyrë përsëri, pavarësisht se duhej të përfundonin këtë muaj. Kjo për shkak se qytetarët që kanë biznese përgjatë rrugës kanë kërkuar që mos të bllokohet rruga gjatë sezonit veror kur ata kanë më shumë punë. Sipas afatit të ri, punimet pritet të përfundojnë deri në fund të muajit tetor 2024, shkruan Portalb.mk.

Zgjatja e punimeve në rrugën Rodvan Coniq e njohur si Rruga e Butiqeve është bërë me kërkesë të vetë qytetarëve, të cilët na informuan gjatë kohës që ishim në terren.

“Pas një mbledhjeje me përfaqësuesit e Komunës së Tetovës, ne, qytetarët dhe bizneset lokale, ramë dakord që punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve të shtyhen përkohësisht. Kjo është bërë për të mos penguar aktivitetet tona gjatë sezonës”, u shpreh një qytetar.

Megjithatë, një qytetar tjetër nuk u shpreh i kënaqur me këtë vendim.

“Këto punime është dashur të kryhen me kohë dhe çdo vonesë vetëm sa e rëndon situatën infrastrukturore. Kjo rrugë është një nga më të frekuentuarat dhe përfaqëson një arterie kryesore të qytetit. Mendoj se është koha që të veprohet dhe të mos ketë më justifikime”, tha një qytetar që banon në këtë lagje.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk theksuan se punimet në rrugën e butiqeve do të fillojnë në fund të gushtit dhe janë paraparë të zgjasin deri në fund të tetorit.

“Me kërkesë të qytetarëve që kanë biznese në atë zonë janë shtyrë punimet, që mos bëjmë pengesë në punën e tyre gjatë sezonës. Punimet në Rrugën e Butiqeve do të fillojnë në fund të gushtit dhe janë paraparë të zgjasin deri në fund të tetorit”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Se fundi i tetorit është afati i fundit për realizimin e këtij projekti infrastrukturor, e konfirmuan edhe nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL).

“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka informacione se afati për përfundimin e projektit nga BE-ja është shtyrë deri më 30 nëntor”, thanë nga MVL.

Rruga e Butiqeve në Tetovë (Radovan Coniq). Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

Nga Zyra e BE-së në vend sot nuk morëm një përgjigje në lidhje me vonesat për këtë projekt, të njëjtët na konfirmuan se nesër do na njoftojnë për pyetjet tona. Megjithatë nga Delegacioni i BE-së atje në muajin tetor 2023 patën deklaruar se punimet pritej të fillonin në mesin e shkurtit 2024, dhe projekti të përmbyllet me 14 korrik 2024.

Kujtojmë që punimet për rikonstruimin e Rrugës së Butiqeve, me një gjatësi prej rreth 420 metrash, fillimisht u shtynë për shkak të nevojës për miratimin e një shtese buxhetore, pasi kostoja e projektit doli më e lartë se sa ishte parashikuar.

    Rikonstruimi i Rrugës së Butiqeve është i paraparë të bëhet përmes bashkëfinancimit të projektit të IPA programit ndërkufitar me Kosovën 2014-2020 “Ringjallje e zejeve dhe ndërtim të kulturës për zhvillim të përbashkët turistik”, ku është i kyçur edhe Prizreni.

    Marrëveshja për rikonstruimin e kësaj rruge u nënshkrua me 30 nëntor 2022 nga kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe ish ministrit të Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov.

    Me këtë projekt pritet që të ruhet identiteti dhe autenticiteti i Rrugës së Butiqeve apo i Çarshisë së Epërme. Kjo rrugë në të kaluarën ishte shumë e njohur dhe e frekuentuar nga qytetarët për artizanalet megjithatë sot bizneset që ndodhen aty nuk kanë punë sikur para disa viteve.

    RELATED ARTICLES
    - Advertisment -

    Most Popular

    Recent Comments