Pasaporta e Maqedonisë së Veriut është ngjitur në vendin e 42-të në Indeksin Botëror të Pasaportave Henley & Partners për vitin 2025, duke mundësuar udhëtimin pa viza në 129 shtete të botës. Ky është një përmirësim me tre pozicione, krahasuar me një vit më parë kur vendi renditej i 45-ti.
Maqedonia e Veriut ndan këtë pozitë me Samoan dhe Tongën, duke treguar përparim të qëndrueshëm në fuqinë e saj diplomatike dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Për herë të parë në historinë e Indeksit të Pasaportave Henley & Partners, pasaporta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk është më në listën e pasaportave më të fuqishme në botë. SHBA-të kanë rënë në vendin e 12-të në raportin e fundit, duke ndarë të njëjtin vend me Malajzinë.
Në krye të listës janë Singapori, Koreja e Jugut, Japonia, Gjermania, Italia, Luksemburgu, Spanja, Zvicra, Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Holanda, Greqia dhe të tjera.
Në fund, megjithatë, janë pasaportat e Irakut, Sirisë dhe Afganistanit.
Me pasaportën e Singaporit, mund të udhëtohet në 193 vende në botë pa vizë. Singapori pasohet nga Koreja e Jugut me 190 dhe Japonia me 189.
Ndërkaq, ndër vendet e rajonit, pasaporta greke është në pozicionin e pestë me 186 vende ku mund të hyjnë pa vizë, Kroacia është në vendin e tetë me 184. Pasaporta shqiptare është në pozicionin e 47-të me 122 vende që mund të hyjnë pa vizë, duke e ndarë vendin me pasaportën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Pasaporta e Kosovës renditet e 65-ta, ndërsa ajo e Serbisë renditet e 36-ta. Pasaporta e Bullgarisë renditet e 14-ta.