Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se ish-presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë një vendim përfundimtar për një sulm ushtarak ndaj Iranit brenda dy javësh. Sipas deklaratës zyrtare, “korrespondenca me Iranin ka vazhduar”, duke lënë të kuptohet se ekziston ende një dritare për zgjidhje diplomatike.
Ndërkohë, Trump ka mohuar një raport të publikuar nga gazeta prestigjioze Wall Street Journal, sipas të cilit ai kishte miratuar tashmë planet për një sulm ndaj Iranit, por kishte shtyrë dhënien e urdhrit përfundimtar me shpresën se Teherani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor.
Trump reagoi ndaj këtij lajmi në rrjetin e tij Truth Social, duke shkruar: “Wall Street Journal nuk ka asnjë ide se çfarë mendoj për Iranin!”.Sipas burimeve të cituara nga Axios, një faktor vendimtar për vendimin e mundshëm të Trump është nëse bomba e njohur amerikane Massive Ordnance Penetrator (MOP) do të ishte e aftë të shkatërrojë objektivin kryesor iranian: uzinën e pasurimit të uraniumit në Fordow.
Kjo qendër, e ndërtuar në thellësi të një mali në jug të Teheranit, është një objektiv strategjik për Izraelin, por ushtria izraelite nuk ka në dispozicion bombat e nevojshme dhe avionët që mund ta kryejnë një operacion të tillë. SHBA-të, megjithatë, i posedojnë të dyja.