Zëdhënësja e shtypit Jen Psaki tha se sanksionet nuk do të kenë peshë mbi zyrtarët amerikanë
Pasi Ministria e Jashtme ruse vendosi e sanksioneve ndaj presidentit amerikan Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë përmes zëdhënëses së Shtypit Jen Psaki.
“Asnjëri prej nesh nuk po planifikon udhëtime turistike në Rusi, apo llogari bankare atje, qasjen e të cilave Moska mund të na e ndalojë, kështu që do të vazhdojmë përpara”, u shpreh ajo me ironi duke treguar se sanksionet ruse nuk e cënojnë aspak kreun e shtetit amerikan apo njerëzit pranë tij.
Rusia ka vendosur sanksione edhe ndaj Hillary Clinton, sekretarit aktual të mbrojtjes Lloyd Austin, ndihmës sekretarit të Thesarit Wally Adeyemo dhe këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan. Sanksionet bllokojnë hyrjen e tyre në Rusi dhe ngrijnë çdo pasuri të mbajtur në vend.
Rusia së shpejti pritet të shpallë më shumë sanksione ndaj zyrtarëve amerikanë, ligjvënësve, biznesmenëve dhe personaliteteve të medias që vendi i akuzon për “rusofobi”. Kjo lëvizje e Moskës vjen si kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura më parë nga vendet perëndimore kundër oligarkëve dhe zyrtarëve rusë.
Klan News