Është rikthyer furnizimi i rregulltë me energji elektrike, pra nuk do të ketë reduktime të paralajmëruara.
Siç bëhet e ditur nga Ministria e Ekonomisë, falë bashkëpunimit me Shqipërinë, mes KEK-ut dhe KESH-it, është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe do të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji.
“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike .Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftim.
Sipas ME-së, Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Ndërsa, bëjnë thirrje për kursim të energjisë.
“Megjithatë, marrë parasysh situatën, luten të gjithë qytetarët dhe bizneset që të marrin masa kursimi dhe të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e energjisë elektrik. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, përfundon njoftimi.
KEDS kishte njoftuar dje se kishte pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar ishin planifikuar të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët.Pra, konsumatorët sot gjatë ditës patën nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.
Ndërsa, opozita ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti 2, duke e quajtur këtë si keq-menaxhim./21Media