Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka dënuar sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit, që nisi mëngjesin e 7 Tetorit.
Nikolla shkruan se Kuvendi i Shqipërisë dënon ashpërsisht sulmin terrorist dhe se në këto momente të vështira gjenden krah Izraelit.
Shqipëria, nënvizon kryeparlamentarja, “do të vijojë të jetë në krah të partnerëve strategjikë në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e sigurisë dhe të paqes.”
“Kuvendi i Shqipërisë dënon ashpërsisht sulmin terrorist të Hamas kundër Izraelit dhe është në krah të popullit izraelit në këto momente të vështira.
Lutjet, mendimet dhe mbështetja jonë shkon për viktimat e pafajshme dhe familjet e tyre në Izrael.
Shqipëria do të vijojë të jetë në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e sigurisë dhe të paqes.”, shkruan Nikolla.