Shqipëria është vendi që beson më shumë te qeverisja e ekspertëve
rtsh.al
Shqipëria është vendi që beson më shumë te qeverisja e ekspertëve se çdo vend tjetër. Gati 90 për qind e shqiptarëve besojnë se qeverisja me ekspertë është më e mirë se ajo politike. Të dhënat janë nga Instat, të raportuara për Eurostat.
Rajoni shënon po ashtu edhe kontrastin më të madh për këtë indikacion. Fqinji jugor i Shqipërisë ka besimin më të ulët tek ekspertët si qeverisja ndaj alternativës politike. Greqia beson në drejtimin e ekspertëve vetëm në 22.2 për qind të saj.
Vendet e rajonit që vijnë pas Shqipërisë, qëndrojnë gjithsesi në shifra të përafërta të besimit tek ekspertët, si ato që janë në procese anëtarësimi evropian në vazhdim, ashtu edhe ato të anëtarësuara së fundi.
Evropa juglindore, me përjashtim të dukshëm të Greqisë i thotë po ekspertëve për qeverisja, në vend të alternativës politike duke konfiguruar kështu si një reagim ndaj politikave të deritanishme, ashtu dhe një nevojë për të depolitizuar qeverisjen.
Në shifra të moderuara besimi te ekspertët është dhe Italia që regjistrohet në kuotën e 41.8 për qind.
Edhe më pak Zvicra me rreth 34 për qind përforcon një grup shtetesh edhe më në veri të Evropës që besojnë më pak se gjysma te qeverisja me ekspertë.