Shqipëria renditet e treta në Europë pas Bjellorusisë dhe Rusisë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo-s për periudhën janar-korrik 2022.
Indeksi për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti që matet nga raporti i çmimit mesatar të shitjes së shtëpive dhe të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, e shprehur si vite të ardhurave, për Shqipërinë është 15,8.
Çka nënkupton që një familje shqiptare i duhen rreth 16 vite të ardhura për të blerë një apartament. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet. Sa më u ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë familjet për të blerë një shtëpi.
Për Bjellorusinë që vlerësohet si shteti më i shtrenjtë për çmimet e apartamenteve, një familje i duhen 17,4 vite të ardhura, ndërsa në Rusi që klasifikohet e dyta një familje i duhen 16,8 vite.
Në raport me vendet e rajonit shteti më i lirë renditet Kosova. Indeksi i përballueshmërisë për blerjen e një apartamenti në Kosovë është 11,7 vite. Më pas vjen Maqedonia e Veriut 12,7 vite, Mali i Zi me indeks 13,3 dhe Serbia me indeksin 14,8.
Në indeksin e çmimeve të pasurive të paluajtshme për periudhën janar-korrik 2021 sipas të dhënave të Numbeo-s, Shqipëria renditej e 7-ta me indeks 13,7 vite. Ndër vendet e rajonit më e shtrenjta klasifikohej Serbia në 2021 me indeks 15,8 vite. Ky shtet për Europën u klasifikua i dyti. Më pas renditej Mali i Zi me indeksin 14,3 vite, Maqedonia e Veriut 12,2 dhe Kosova me 10,7 vite.