Gjetjet e Monitorit të Pronësisë së Medias në Shqipëri 2023, një studim i BIRN Albania dhe Regjistrit Global të Medias, zbulojnë se mbi 98% e audiencës në tregun e medias audiovizive kontrollohet nga pronarë me lidhje politike ose që kanë marrë subvencione të drejtpërdrejta ose të tërthora nga shteti.
Të martën në ‘Europe House’ në Tiranë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN Albania dhe organizata Regjistri Global i Medias, GMR, prezantuan gjetjet e hulumtimit mbi transparencën dhe përqëndrimin e pronësisë së medias në Shqipëri për vitin 2023.
Monitori i Pronësisë së Medias publikohet për herë të dytë në Shqipëri dhe vjen në formën e një databaze në internet me një set indikatorësh për pluralizmin e medias, të cilat sipas nivelit të rrezikut vlerësohen me risk të lartë, mesatar dhe të ulët. Ky studimi u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
“Liria e shprehjes dhe liria e medias marrin një rol qendror në procesin e zgjerimit të BE-së,” tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Tiranë në fjalën e tij gjatë prezantimit të studimit, ndërsa theksoi se të gjithë vendet që aspirojnë të bëhen anëtare duhet të tregojnë angazhim për të respektuar lirinë e shprehjes.
Sipas gjetjeve të ekipit të MOM Albania, audienca dhe të ardhurat në tregun mediatik në Shqipëri vazhdojnë të jenë nën kontrollin e një grupi të vogël kompanish me pronësi familjare.