275 mijë familje dhe individë që janë pjesë e skemës së programeve sociale do të shpërblehen në fundvit me 150 Euro. Kategoritë përfituese janë disa.
Albana Koçiu: Është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit afro 2.1 miliardë Lekë. Janë 15 mijë Lekë apo 150 Euro që i akordohen familjeve në nevojë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, fëmijët pa kujdes prindëror, invalidë që kanë statusin e para apo tetraplegjikut, ata që kanë statusin e të verbrit.Për herë të parë këtë vit, marrin shpërblimin e fundvitit, ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar.
Një tjetër vendim i ndërmarrë sot është dhe ai për shpërblimin e punonjësve mbështetës të qeverisjes qendrore, si shoferë, sanitarë apo specialistë me paga të ulëta
Miratimi i këtyre shpërblimeve vjen pas vendimit të qeverisë për bonusin për pensionistët që për herë të parë këtë vit ishte 100 Euro për pensionet mbi 20 mijë Lekë dhe 150 Euro për pensionet më të ulëta se ky kufi.
Ndërkohë, ka një kërkesë të Ministrisë së Brendshme për shpërblim për rreth 8700 efektivë policie që janë punonjës të nivelit bazë, të Rendit, Rrugores e deri tek ata, të cilët mbajnë gradën “Inspektor”.
Për këtë kategori, Tv Klan mëson se shpërblimi do të miratohet në mbledhjen e fundit të Qeverisë për këtë vit, atë të datës 30 Dhjetor.
Tv Klan