Një person është lënduar rëndë dhe një tjetër ka pësuar lëndime më të lehta trupore si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer nga ndezja e fishekzjarrëve në një pikë shitjeje në trotuar në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në mbrëmjen e 31 dhjetorit.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, i lënduari rëndë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar edhe lokalet dhe banesat përreth.“Raportohet se ka ndodhur një shpërthim i zjarrit nga ndezja e mjeteve piroteknikë në një pikë-shitje në trotuar dhe si pasojë është përhap zjarri edhe në lokalet dhe ndërtesat për rreth kësaj pikë-shitjeje. Dy meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët janë dërguar në Emergjencë në Prizren dhe më pas njëri prej të lënduarve për shkak të gjendjes së rëndë është dërguar në QKUK Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë shkaktuar dëme materiale në objekte si banesa, lokale dhe automjete. Njësiti i zjarrfikësve ka dalë në vend ngjarje dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.Ndërkohë plot 24 raste janë trajtuar në Klinikën Emergjente si shkak i lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike.
Shefi i Emergjencës, Agron Çitaku bën të ditur se këto raste janë të moshës mesatare, ndërkaq dy prej tyre janë të moshës së shtyrë.
Para gazetarëve, ai foli edhe për gjendjen e një të lënduari nga shpërthimi i mjeteve piroteknike në Prizren. Sipas tij, gjendja e tij është e rëndë.Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste qe janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, shtoi ai. /Reporteri.net/