-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajme“Shpërfillja e shqipes”, Alsat me nismë edhe për ministrinë e Stoillkoviqit

“Shpërfillja e shqipes”, Alsat me nismë edhe për ministrinë e Stoillkoviqit

E gjatë është lista e institucioneve që shpërfillin përdorimin e shqipes. Pas denoncimit ndaj Ministrisë së Administratës, Alsat në Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve dërgoi nismë edhe për ministrinë e Stoillkoviqit, e cila ka “zhdukur” shqipen. Pritet të shihet epilogu. Të dhënat tregojnë se ndër vite i lartë ka qenë numri i shkelësve të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Pas paraqitjes së djeshme të ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve për shkak të mosrespektimit të gjuhës shqipe, sot radhën e ka ministri tjetër Ivan Stoillkoviq, i cili është i obliguar pikërisht zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, raportoi Suad Bajrami, gazetar.

Kjo është nisma e dytë e televizionit Alsat për ministrat të cilët nuk e zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili i obligon që të komunikojnë me qytetarët krahas maqedonishtes edhe në shqip. Inspektorati, sipas detyrës zyrtare brenda 10 ditëve duhet të bëjë inspektim të paparalajmëruar për të konstatuar gjendjen.
Prej themelimit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, deri në fund të qershorit, inspektorët e këtij inspektorati kanë kryer gjithsej 357 inspektime.

Të dhënat, tregojnë nivel të lartë të mosrespektimit të obligimit ligjor nga ana e institucioneve dhe funksionarëve.

Siç mund të shihet në tabelë, prej gjithsej 357 inspektimeve të kryera prej qershorit të vitit 2021 deri në qershorin e vitit 2024, madje në 246 inspektime apo në 70% është konstatuar parregullsi, gjegjësisht mosrespektim të gjuhës shqipe nga ana e institucioneve.
Ky është edhe një vërtetim shtesë për atë që Alsat tanimë një periudhë është duke informuar se funksionarët shtetërorë e respektojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve sipas dëshirës.

Prioritet i Inspektoratit është që këtë vit të fokusohet në fillimin dhe kryerjen e mbikëqyrjeve inspektuese mbi zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nëpërmjet zbatimit të rregullt të kontrolleve inspektuese, përforcimin, zhvillimin dhe avancimin e burimeve njerëzore.

Megjithatë, nëse shihen kapacitetet e Inspektoratit janë simbolike. Buxheti i këtij institucioni për vitin 2024 është vetëm rreth 280 mijë euro. Megjithatë, shumica e këtyre parave shkon për rroga dhe kontribute. Nëse shihet lista e të punësuarve, gjithsej në këtë Inspektorat ka 17 persona, ndërkaq 8 prej tyre janë me pozitë inspektorë dhe inspektorë të rinj.

Derisa përdorimi i shqipes shpërfillet, gjuha maqedonase e cila gjithsesi është gjuhë e parë zyrtare, mbrohet me ligj të posaçëm. Madje, me ligjin e ri për Përdorimin e Gjuhës Maqedonase prej janarit të këtij viti, detyrohen organet shtetërore, madje edhe kompanitë private që dokumentacionet, por edhe materialet t’i lekturojnë sipas gjuhës standarde maqedonase.

Kjo, as nuk vjen në shprehje me shqipen. Madje, vendi nuk ka as institucion përkatës që licencon lektorë të gjuhës shqipe, e lëre më të detyrohet dikush të përdor gjuhën shqipe sipas standardes.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, parasheh dispozita ndëshkuese për mosrespektimin e saj nga institucionet dhe funksionarët. Por, pavarësisht nivelit të lartë të shkeljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Alsat mëson jozyrtarisht se ekzekutimi i këtyre gjobave nga organet gjyqësore është shumë i ulët. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments