Javën e kaluar u shpall tenderi për ndërtimin e burgut të ri në Idrizovë, i cili ishte paralajmëruar para dy vitesh.
“Në proces është thirrja ndërkombëtare për zgjedhjen e realizuesit. Presim që në afatin më të shpejtë të mundshëm, pas përfundimit formal-juridik të procedurës, të fillojë ndërtimi i burgut të ri”, thonë nga Qeveria.
Sipas paralajmërimeve të bëra dy vjet më parë nga ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, vendimi për ndërtimin e burgut të ri në Idrizovë erdhi pas rekomandimeve të shumta për modernizimin e repartit të burgjeve dhe përmirësimin e kushteve për të dënuarit.
“Projekti parashikon ndërtimin e një objekti të ri për repartin e burrave, një repart të ri paraburgimi dhe objekte të reja për kuzhinë dhe lavanderi. Ndërtimi i objekteve të reja është në vlerë prej 25 milionë euro, mjete të siguruara me mbështetjen e Bankës për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës”, tha Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe ministër i transportit.
Burgjet në Maqedoni përballen me stërngarkim, por vitet e fundit janë shënuar edhe raste për arratisje spektakolare. Para disa viteve në Idrizovë u zbulua një tunel nëntokësor 40 metra i gjatë me të cilin po përgatitej arratisje, ndërsa në çatinë e burgut u gjet edhe një paraglajder me të cilin disa të burgosur kishin planifikuar të iknin./ Alsat.mk
