9.4 C
Tetovo
E martë, 7 Tetor, 2025
BallinaLajmeShkup, të burgosurit e liruar për fundjavë tentuan t’i ikin policisë

Shkup, të burgosurit e liruar për fundjavë tentuan t’i ikin policisë

Skenë filmash në një lagje të Shkupit. Të burgosurit e liruar për fundjavë tentuan t’i ikin policisë, ndjekja ndodhi, derisa makina e burgosurve të dilte nga rruga. Bëhet fjalë për dy të dënuar për kontrabandë emigrantësh dhe trafik droge, të moshës 23 dhe 46 vjeç. Të dy janë arrestuar.

“Ndjekje filmike pranë lagjes së Shkupit Kolonia e re. Dy të burgosur kanë ikur me një “Range Rover”, policët kanë shtënë në ajër, ndërsa automjeti i të arratisurve ka dalë nga rruga”.

Bëhet fjalë për të burgosur nga burgu i Idrizovës, të cilët kishin dalë me leje, por nuk kanë respektuar sinjalin e policisë për t’u ndalur. Pas kësaj, ka pasuar skenar të vërtetë holivudian. Makina goditi dy herë automjetin policor, ndërsa sipas informacioneve të Alsat, policët qëlluan tre-katër herë në gomën e majtë të automjetit ku ndodheshin të burgosurit, pas çka ka dalë nga rruga. Ndërsa sipas informacioneve zyrtare nga MPB, policët kishin qëlluar vetëm në ajër.

“Një oficer policie ka qëlluar disa plumba paralajmërues në ajër, por automjeti “Range Rover” nuk është ndalur, përkundrazi ka vazhduar të lëvizë dhe në afërsi të lagjes Kolonia e re ka dalë nga rruga. Në automjet janë gjetur pesë telefona celularë, para dhe çelësa të disa automjeteve, ndërsa N.A. dhe A.J. janë privuar nga liria dhe kundër tyre, pas dokumentimit të rastit, do të paraqiten kallëzimet përkatëse”, deklaroi Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së.

Bëhet fjalë për persona të moshës 23 dhe 46 vjeç. Ndjekja ndaj tyre është zhvilluar nga rruga “Pançe Nedellkovski” në Shkup, përmes rrugës rajonale Shkup–Veles, për të përfunduar në lagjen Kolonia e re. Sipas burimeve tona, të dënuarit ndodheshin në liri pasi kishin përfituar leje për fundjavë. Nga Drejtoria për Ekzekutimin të Sanksioneve për Alsat zbulojnë se njëri prej tyre ishte dënuar për kontrabandë emigrantësh, ndërsa tjetri për tregti të paligjshme me drogë. Njëri nga të burgosurit duhej të lirohej në vitin 2027, ndërsa tjetri në vitin 2029. /Alsat/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments