Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi të dyshuar për vepër penale – Zhvatje nga neni 258 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (tentativë) dhe 22 (bashkëpunëtor).
I dyshuari 33-vjeçar nga Shkupi, së bashku me një person tjetër i cili ende nuk është identifikuar, kanë përdorur forcë dhe kërcënime serioze për të detyruar dentistin e dëmtuar që t’u paguajë 5 mijë euro, njoftoi Prokuroria sot (8 mars).
Pasi i dyshuari ka telefonuar një ditë më parë dhe ka lënë takim si pacient në zyrë, më 29 janar dy bashkëpunëtorët kanë ardhur në takimin e caktuar. I dyshuari i ka treguar dentistit një videoklip me përmbajtje gjoja komprometuese nga celulari i tij dhe i ka kërkuar 5000 euro për të mos e publikuar, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në atë moment i dëmtuari ka filluar të regjistrojë bisedën me celularin e tij. I dyshuari e ka vërejtur, i ka marrë telefonin dhe e ka fshirë bisedën e regjistruar. Më pas e ka detyruar të dëmtuarin që të largohen së bashku nga zyra dhe ka tentuar ta fusë me forcë në veturë. Viktima ka refuzuar, pas së cilës i dyshuari e ka kërcënuar edhe një herë se do të paguajë ekstra për filmimin e tyre, kështu që dy autorët janë larguar në drejtim të panjohur.
Po ndërmerren veprime për zbulimin e identitetit të të dyshuarit të dytë, ndërsa për të parën prokurori publik propozoi që të caktohen masat e parandalimit – detyrim për raportim periodik te zyrtari i caktuar ose organi kompetent shtetëror, sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit për kalimin e kufirit shtetëror dhe ndalimi i dhënies së tij, si dhe ndalimi i afrimit ose mbajtjes së kontakteve të të dëmtuarit, thuhet në informatën e Prokurorisë Themelore Publike-Shkup