4.1 C
Tetovo
E premte, 27 Mars, 2026
BallinaLajmeShkup /Ambasada e Shqipërisë reagon ndaj Nikollovskit: Mos përfshini vendet e treta...

Shkup /Ambasada e Shqipërisë reagon ndaj Nikollovskit: Mos përfshini vendet e treta në debatet e brendshme

Deklaratat e zëvendëskryeministrit Aleksandar Nikollovski nga foltorja e Kuvendit, ku ai përmendi Shqipërinë, kryeministrin Edi Rama dhe rastin e Ilir Metës, kanë nxitur reagim diplomatik nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup. Në një përgjigje për gazetën KOHA, Ambasada thekson se nuk përfshihet në debatet e brendshme politike të vendit pritës, duke apeluar për përgjegjësi institucionale dhe komunikim të matur.

КОHA: Si i komentoni deklaratat e zv. Kryeministrit Nikollovski ku përfshin Shqipërinë dhe Kryeministrin Rama në debate të brendshme politike?

Ambasada ndjek me vëmendje dhe analizon çdo zhvillim me interes në vendin ku është e akredituar, por ka një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm: nuk përfshihet në debatet e brendshme politike të vendit pritës. Ne besojmë se diskutimet e brendshme politike duhet të zhvillohen mbi bazën e përgjegjësisë institucionale, në një frymë konstruktive dhe pa referenca ndaj vendeve të treta apo drejtuesve të tyre. Marrëdhëniet tona me Maqedoninë e Veriut, një vend mik dhe aleat i rëndësishëm, mbeten të forta dhe ndërtohen mbi respekt reciprok, mirëkuptim dhe një frymë të qëndrueshme bashkëpunimi. Çdokush mban përgjegjësi për deklaratat e tij; në mënyrë të veçantë, funksionarët publikë, për shkak të rolit dhe përgjegjësive që mbartin, duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që deklarimet e tyre mund të kenë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe në klimën e bashkëpunimit.

KOHA: Si i komentoni deklaratat për Pogradecin dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për ndërtimet pa leje?

Në Shqipëri, qasja ndaj ndërtimeve pa leje është e qartë dhe e bazuar në parimin e sundimit të ligjit: ligji zbatohet dhe institucionet veprojnë në përputhje me të. Masat e ndërmarra janë pjesë e një politike të konsoliduar për mbrojtjen e territorit, garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Këto janë procese të brendshme institucionale dhe si të tilla trajtohen nga autoritetet përkatëse, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

KOHA: U bënë deklarata nga zv. Kryeministri Nikollovski edhe për Ilir Metën dhe rastin e tij. Si e komentoni këtë?

Çdo çështje që lidhet me persona te caktuar në Shqipëri trajtohet nga institucionet kompetente, në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për parimin e pavarësisë së drejtësisë. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të shtetit të së drejtës dhe ndaj një sistemi drejtësie që vepron në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pa ndërhyrje. Komentet mbi raste individuale mbi këtë proces apo cdo tjetër duhet të mbajnë parasysh që mos cenojnë besimit publik tek institucionet.

KOHA: Pavarësisht këtij episodi, si i shihni marrëdhëniet Shqipëri – Maqedoni e Veriut?

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë të qëndrueshme, të rëndësishme dhe me karakter strategjik. Dy vendet tona janë aleatë në NATO dhe bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të proceseve euroatlantike, duke ndarë interesa të përbashkëta për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit.

Episodet e veçuara, për të cilat Ambasada shpreh keqardhje, nuk do ta ndryshojnë këtë realitet. Përkundrazi, ato nënvizojnë rëndësinë e një komunikimi të matur dhe të përgjegjshëm, si dhe nevojën për t’u përqendruar tek objektivat e përbashkëta që na bashkojnë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments