Me shkronja të verdha dhe gjigante dhe me një mesazh të fortë, sheshi përpara Shtëpisë së Bardhë, ka një emër tjetër: “Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen”!
Pikërisht, slogani që shoqëroi 10 ditët e protestave që gjeneruan madje edhe dhunë në shumë shtete të Amerikës, pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd, është mesazhi që do të lexohet nga sheshi përpara Shtëpisë së Bardhë.
Projekti masiv, përfshin dy blloqe të rrugës 16, një aks qendror që të çon drejt pjesës jugore të Shtëpisë së Bardhë dhe ai është drejt përfundimit. Secila prej 16 shkronjave të këtij mesazhi të fuqishëm, është me ngjyrë të verdhë të ndezur dhe zë të dy korsitë e rrugës. Vizualisht e lexueshme dhe e kuptueshme, si nga kamerat ajrore, por edhe për këdo që ecën në këtë rrugë, ky mesazh i rëndësishëm është “duartrokitur” nga të gjithë, si një jehonë për vrasjen e papreçedentë të George Floyd nga policia e Mineapolis.
Artistët që po realizojnë këtë punim, janë kontaktuar nga kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser. Ata e kanë nisur punën mëngjesin e djeshëm, u shpreh zyra e kryetares për CNN, ndërsa “Black Lives Matter” do të jetë zyrtarisht emri i ri që do të mbajë kjo rrugë në përfundim të projektit.