Inspektimet e jashtëzakonshme në Tetovë nxorën në pah se 70 për qind e shkollave fillore dhe të mesme nuk janë të sigurta në rast zjarri.
Në gjendje më të vështirë dhe pa asnjë kusht për mbrojtje kundër zjarrit, rezultoi shkolla fillore “Istigball” në Tetovë. E njëjta, lerë që rezultonte me vetëm një aparat kundër zjarrit me afat të skaduar, në secilin kat të shkollës kishte nga një të atillë, ndërsa hidrantët ishin që të gjithë të prishur dhe jashtë funksionit. Shefi i inspektoratit komunal Armend Salihi, për Alsat është shprehur se deri të premten do zgjasin kontrollet pas çka do të bëhet raporti dhe do i dorëzohet komunës për masat e mëtejme.
“Në disa shkolla fillore, kemi hasur në mungesë të planit për evakuim po ashtu, dhe bashkë me kolegët do përpilojmë edhe procesverbale, do kemi raportin final në fund të javës. Drejtorëve iu japim sugjerime që të forcojnë sigurinë në ambientet e shkollave, kontrollojmë hyrje-daljet, planet emergjente e tjera”, deklaroi Armend Salihi, Shef i Inspektoratit komunal Tetovë.
“Si bazë kryesore që duhet ta kenë objektet janë hidrantët të brendshëm dhe të jashtëm, pajisjet kundër zjarrit dhe shenjat për evakuim por edhe shkallët për evakuim që janë të domosdoshme. Te shkollat që janë më të vjetra, kemi hasur shumë mangësi por do e përpilojmë procesverbalin dhe në fund do dalim me raport”, tha Muhamet Havzia, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Probleme edhe në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”. Kësaj shkolle të mesme që është ndër më të mëdhatë në Tetovë, i mungonin hidrantët funksionalë por edhe planet për evakuim. Disa hidrantë madje rezultonin të mbyllur me dry dhe nuk hapeshin.
“Siç shihet jemi te gjimnazi dhe këtu ka një sistem shumë të vjetër të hidrantëve dhe shkolla duhet patjetër të bëj rregullimin dhe servisimin e hidrantëve sepse janë të mira për rastet urgjente. Duhet të servisohet dhe t’i ndërrohet gypi sepse këto gypa nuk ka më dhe nuk plotëson standardet sepse është shumë i vjetër”, u shpreh Avni Ameti, Shef i NJTKZ Tetovë.
Pas përpilimit të raportit për mungesat e shumta dhe sigurinë që është pothuajse “zero” nëpër shkollat fillore dhe të mesme, në ndihmë financiare për rregullimin e tyre pritet të përfshihet edhe komuna e Tetovës.