Përderisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) shpërndan subvencione në formë bllok dotacionesh për shkollat fillore komunale, rastet në Shuto Orizarë dhe Strugë zbulojnë probleme serioze, keqpërdorime dhe mungesë të kontrollit mbi përdorimin e këtyre fondeve. Që nga 1 janari 2026, MASH njofton zbatimin e një formule të re për llogaritjen e këtyre subvencioneve, shkruan REL.
Në Shuto Orizarë, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale ndaj një ish-punonjësi të komunës për keqpërdorim të bllok dotacioneve nga MASH për shkollat fillore. Sipas policisë, ai në fund të vitit 2023, duke përdorur dokumente të falsifikuara, përvetësoi mbi 3.600.000 denarë nga llogaria e komunës duke përfituar përmes dy kompanive të krijuara nga vetë ai. Kryetari i komunës, Kurto Dudush, tha për REL se nuk mund të jepte më shumë detaje për shkak të hetimeve në vazhdim, përcjell PressOnline.al.
Nga ana tjetër, në Strugë, situata është ndryshe. Komuna përmes një njoftimi në Facebook i ka dorëzuar kompetencat mbi shkollat fillore Ministrisë së Arsimit, duke argumentuar mungesën e fondeve për funksionimin normal të 12 shkollave fillore dhe 25 njësive shkollore periferike në zonat rurale me mësim dy ose tregjuhësh. Kryetari i Strugës, Ramiz Merko, i cili është në listën e zezë amerikane dhe përballet me disa padi penale, theksoi se shkollat periferike nuk mund të bashkohen me shkollat qendrore për shkak të largësisë dhe numrit të vogël të nxënësve.
Ministria e Arsimit thekson se nuk ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë mbi mënyrën se si komunat përdorin bllok dotacionet dhe se kontrolli mbetet në kompetencën e auditimit të brendshëm dhe të Ministrisë së Financave. Për komunën e Strugës, blloku i subvencioneve për vitin 2025 është 579.110.000 denarë (rreth 9,4 milionë euro), ku mbi 95% shkojnë për pagat e stafit shkollor.
Nga 1 janari 2026, MASH planifikon të zbatojë një formulë të re për shpërndarjen e subvencioneve, që do të bazohet në koston standarde për nxënës, duke synuar një shpërndarje më të drejtë dhe transparente të fondeve. Megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se si do të realizohet kontrolli i përdorimit të këtyre fondeve në praktikë.