Thuajse në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme janë kryer përgatitjet e fundit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor. Vëmendje e posaçme i është kushtuar higjienës në shkolla sidomos tani kur numri i rasteve me viroza të ndryshme është i lartë. Drejtoresha e shkollës fillore “Liria” në Çair tha për Alsat se që nga dita e parë e mësimit do të evidentohen mungesat e nxënësve për të parë gjendjen reale të nxënësve të prekur nga gripi.
“Të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij gjysmëvjetori i kemi realizuar sa i përket pastrimit të shkollës, rregullimit, dezinfektimit, deratizimit të shkollës po edhe në aspektet tjera, përgatitjeve të tjera. Mendojmë që jemi të gatshëm për një fillim të mbarë të këtij gjysmëvjetori. Sa i përket numrit të të prekurve me gripin sezonal shpresojmë që ky numër do të zvogëlohet e këtë gjendje ne më së miri do ta shohim ditën e hënë kur do të na vijnë fëmijët edhe do të kemi një pasqyrë të realtë se sa fëmijë i kemi të prekur nga gripi sezonal”, tha Teuta Idrizi, drejtore sh.f “Liria”.
Idrizi kujtoi se shkolla që ajo drejton tashmë është furnizuar edhe me lëndë djegëse, të mjaftueshme deri në përmbyllje të sezonit të ngrohjes.
“Edhe në aspektin e ngrohjes jemi të përgatitur, ne kemi ngrohje vetanake jemi të furnizuar me naftë. Kishim edhe mbledhjen e këshillit të arsimtarëve, gjithçka është planifikuar, vazhdojmë me oraret e zakonshme, me organizimin e turneve me të cilat funksionon shkolla dhe gjithçka është në rregull”, shtoi Teuta Idrizi, drejtore e sh.f “Liria”.
Gjysmëvjetori i dytë ose në përgjithësi viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor. Pushimi pranveror që e shijuan vitin e kaluar nuk ekziston më për shkak se kështu vendosi ministrja e re e Arsimit, Vesna Janevska me arsyetimin se këtë e kërkuan prindërit dhe nxënësit në një anketë të realizuar nga MASH.