Një grup shkencëtarësh italianë kanë krijuar një biskotë me një përbërës të veçantë që mund të ndihmojë në reduktimin e ndjenjës së urisë dhe, për pasojë, në humbjen e peshës.
Kjo ide inovative erdhi si rezultat i një studimi të hershëm të prezantuar në Kongresin Evropian të Obezitetit, i mbajtur në Malaga të Spanjës, nga ekipi kërkimor i Universitetit të Piemontes Lindore në Itali.
Në qendër të këtij eksperimenti është përbërësi natyral i marrë nga bima Artemisia absinthium, e njohur ndryshe si pelin, i cili u përfshi në një biskotë të zakonshme me çokollatë të zezë.Përbërësi, i cili ka një shije të hidhur, u testua mbi një grup prej 11 personash të shëndetshëm.
Ata u pajisën me dy lloje biskotash, një të zakonshme me kakao dhe një tjetër të pasuruar me 16% ekstrakt të pelinit.
Rezultatet treguan se biskota me shijen e hidhur kishte një efekt të dukshëm në uljen e urisë.
Pjesëmarrësit që e konsumuan këtë version ndiheshin më të ngopur dhe treguan rritje të niveleve të disa hormoneve që lidhen me ndjesinë e ngopjes, si GLP-1, i cili luan rol të rëndësishëm në rregullimin e oreksit, sheqerit në gjak dhe tretjes.
Ky është po i njëjti hormon që përdoret edhe në barnat moderne për humbje peshe, si Ëegovy dhe Ozempic.
Shkencëtarët theksojnë se përbërësi i hidhur ndikon në mënyrën se si trupi sekreton ghrelinin, hormonin që nxit ndjesinë e urisë, dhe se duke e frenuar atë, mund të ulet dëshira për të ngrënë dhe të ngadalësohet tretja, gjë që bën që individët të ndihen të ngopur për më gjatë.
Sipas Dr. Flavia Produm, autorja kryesore e studimit, biskotat u përshkruan si ‘shumë të shijshme’ dhe, sipas saj, mund të kenë potencial të madh për t’u tregtuar si produkte ndihmëse në menaxhimin e peshës.
Ajo tha se të gjithë pjesëmarrësit që konsumuan biskotën e hidhur raportuan reduktim të ndjeshëm të urisë, veçanërisht përpara darkës.
Tani, ekipi kërkimor ka në plan të nisë një provë klinike më të gjerë për të vlerësuar efektet afatgjata të këtyre biskotave tek pacientët obezë.
Dr. Produm nënvizoi rëndësinë e kësaj qasjeje duke theksuar rolin e fortë që luan emocioni në të ngrënë: “Njerëzit shpesh kërkojnë ushqim që i ngushëllon, ndaj një produkt që mund të ndihmojë në frenimin e oreksit pa sakrifikuar shijen, mund të jetë një strategji e suksesshme në luftën kundër obezitetit.”