Te shqiptarët maksima e njohur: “të kaplon gjumi si tradhtar e zgjohesh si patriot”, nuk ishte më interesante. Në plan të parë kishte dalë maksima: “të kaplon gjumi si analfabet e zgjohesh si profesor universitar”. Kësaj të keqe askush nuk doli t’i thotë stop. Askush. As nga shoqatat që rreth vetes tubonin edhe të ashtuquajtur intelektualë. Askujt nuk i shkoi ndërmend ta shtrojë pyetjen: po nesër, kush do t’i edukojë gjeneratat e reja? Ose, përse proceset nëpër të cilat duhet të kalojnë shqiptarët, kanë kahe të mbrapsht? Një herë e përgjithmonë duhet bindur se rruga e shkollimit nuk është e lehtë ashtu siç u ndodhi akademikëve analfabetë, por është një rrugë e vështirë, e cila kërkon përkushtim dhe punë të përditshme. Pasojat e diturisë që falet apo blihet, janë të pariparueshme. Pikërisht me pasoja të tilla do të përballet shoqëria shqiptare, e cila do të bëhet një shoqëri e dëshpëruar dhe e zhgënjyer edhe nga krimi në arsim.
Asnjë diplomë, çfarëdo qoftë ajo, nuk do mund ta kamuflonte analfabetizmin e atyre që pretendonin ta marrin në dorë fatin e kombit. Efektet e atyre diplomave ishin sa të dhembshme, aq edhe trishtuese. Sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar t’i vizitonin libraritë edhe ashtu të pakta, mesiguri pozita e librit shqip nuk do të ishte e mjerë. Sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar t’i vizitonin dy teatrot shqiptare (profesionale) në Shkup e Tetovë, atëherë nuk do të ndodhte që çdo shfaqje pas premierës të harrohet përgjithmonë. Do të ishte krejt ndryshe sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar të ngrinin zërin kundër pozitës së pavolitshme të shqiptarëve, s’do mend se gjendja do të ishte më ndryshe.