-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeShkarkimet në Këshillin Gjyqësor nxisin reagime në Shkup

Shkarkimet në Këshillin Gjyqësor nxisin reagime në Shkup

Shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Vesna Dameva, ka nxitur reagime të shumta në opinion. Shkarkimi i Damevës u bë me miratimin e 7 prej 13 anëtarëve sa numëron ky organ.

Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor pasojnë një letër të ambasadores amerikane në Shkup me kritika të ashpra ndaj punës së Gjykatës së Apelit.

Dameva u shkarkua me arsyetimin se e ka fshehur letrën e ambasadores Angela Aggeler, por edhe për shkak të siç thuhet, prishjes së raporteve ndërnjerëzore në Këshill.

Por, kryetarja e këshillit tha se pas një akti të tillë qëndrojnë struktura politike.

Vesna Dameva
Vesna Dameva

“Ky vendin është antiligjor pasi nuk i ka votat e mjaftueshme, por nuk ka as arsye për një gjë të tillë. Është e qartë se me këtë vendim duhet të plotësohen dëshirat e dikujt. Persona të caktuar të politikës do të jenë të kënaqur me këtë vendim, por unë nuk do të dorëzohem dhe beteja do të vazhdojë”, tha Dameva.

Këshilli Gjyqësor është organi më i lartë gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, i cili emëron, shkarkon dhe shqyrton punën e gjykatave në vend.

Në rend të ditës, kur anëtarët e tjerë vendosën shkarkimin e Damevës, ishte edhe një pikë, në të cilën do të kërkohej përgjegjësi nga një gjykatës i Gjykatës së Apelit për shkak të punës joefikase në procedimin e rasteve, e cila çoi në vjetërsimin e disa lëndëve, përfshirë edhe atë të ish-drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, i dënuar me disa vjet burgim.

    Dameva pretendon se shkarkimi i saj ka për qëllim pikërisht mbrojtjen e gjykatësve të tillë, të cilët duhet të japin përgjegjësi për punën e tyre.

    Presidenti Stevo Pendarovski, nëpërmjet një reagimi me shkrim, tha se ajo që ka ndodhur në Këshillin Gjyqësor, ndikon negativisht në besueshmërinë e punës së gjykatave, të cilat po përballen me kritika të shumta për joefikasitet dhe ndikime politike.

    “Skenat e tilla nuk i kanë hije organit që ka një rol shumë me përgjegjësi, duke pasur parasysh kompetencat që ka në përzgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve, shqetësimin për reputacionin e gjyqësorit si faktor kyç për besimin e qytetarëve te gjyqësori. Me veprime të tilla ulet edhe më shumë besueshmëria, jo vetëm e Këshillit Gjyqësor, por edhe besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e presidentit Pendarovski.

    Edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka reaguar duke kërkuar përfshirjen e të gjitha institucioneve shtetërore:

    “Duke marrë parasysh pozicionin e Këshillit Gjyqësor, si organi më i lartë i autoritetit gjyqësor, i cili duhet të angazhohet për respektimin pa kompromis të parimit të shtetit të së drejtës dhe për sigurimin e pavarësisë së autoritetit gjyqësor si shtylla e tretë e qeverisjes, Komisioni Shtetëror shpreh shqetësim serioz për zhvillimet në këtë organ”.

    Drejtuesit e institucioneve të tjera nuk kanë reaguar për këto zhvillime, ashtu siç nuk kanë reaguar as për letrën e ambasadores amerikane drejtuar atyre me kritika për mosveprimin e Gjykatës së Apelit në shqyrtimin me kohë të lëndëve gjyqësore.

    “… Kjo ul më tej besimin edhe ashtu të ulët që ka publiku te gjykatat… Për më shumë se 30 vjet SHBA-ja e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në qëllimet e saj, përfshirë sundimin e ligjit dhe qeverisjen efikase. Kemi shpenzuar mbi 560 milionë dollarë për të ndihmuar në këto fusha, përfshirë trajnime dhe programe për shumicën e prokurorëve dhe gjykatësve. Fatkeqësisht, kam frikë se rezultati i ulët i këtij investimi sa vjen e tkurret”, thuhej në letrën e ambasadores Ageler.

    Ndërkohë, reagime të shumta ka pasur nga organizatat joqeveritare dhe ekspertë të çështjeve juridike.

    Mbledhja e Këshillit Gjyqësor është ndjekur nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, i cili ka konstatuar shkelje të rënda ligjore.

    …shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor ishte në kundërshtim të plotë me ligjin dhe aktet nënligjore.

    “Mënyra se si është bërë shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor ishte në kundërshtim të plotë me ligjin dhe aktet nënligjore. Ishte një precedent i rrezikshëm pasi situata të tilla mund të përsëriten edhe në të ardhmen. Ishte një vendim skandaloz me shkelje të procedurave për zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit”, ka deklaruar përfaqësuesi i koalicionit, Dushko Avramovski.

    Vendimi është quajtur “skandaloz” edhe organizatat e tjera joqeveritare që merren me punën e gjyqësorit.

    “Në kohën kur besimi te Gjyqësori është në një nivel të ulët, është e nevojshme që Këshilli Gjyqësor të jetë strumbullari i autoritetit gjyqësor, duke siguruar dhe garantuar autonominë dhe pavarësinë e autoritetit gjyqësor. Ai duhet jetë një institucion, në të cilin do të kenë besim të madh gjyqtarët dhe qytetarët, dhe jo një institucion që do të rrënojë më tej besimin e ulët për shkak të mosrespektimit të ligjeve dhe veprimeve arbitrare, që cenojnë drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe juridik në vend”, thuhet në reagimin e grupit “Blueprint” për reforma në pushtetin gjyqësor.

    Reagime të shumta ka pasur edhe në rrjetet sociale nga profesorë dhe figura të njohura publike.

    Ana Pavlovska-Daneva, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Shkup në profilin e saj në Facebook ka shkruar se ajo që ka ndodhur në Këshillin Gjyqësor, nesër mund të ndodhë edhe në Qeveri, që zëvendëskryeministri t’ia marrë fjalën kryeministrit dhe të vazhdojë ta udhëheqë seancën.

    “Nënkryetari i Këshillit Gjyqësor ia mori fjalën kryetares së Këshillit dhe vazhdoi ta udhëheqë seancën, e më pas edhe e shkarkoi në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e Punës. Të gjithë heshtën! Nesër mund të ndodhë që zëvendëskryeministri i parë (ose i dyti, i treti…) t’i marrë fjalën kryeministrit dhe të vazhdojë të udhëheqë Qeverinë! Të gjithë do të heshtin përsëri! Me rëndësi për ta është që funksionet, shumat dhe tarifat e tyre të mbeten të paprekura”, ka shkruar Daneva.REL

    RELATED ARTICLES
    - Advertisment -

    Most Popular

    Recent Comments