Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) bëri të ditur se sot janë ngritur padi nga gazetarët për sulmet ndaj tyre në ngjarjet në Kuvend të 27 prillit para tre viteve.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kujton se më 27 prill, tre vjet më parë, u zhvillua ‘E enjtja e përgjakshme’, ku një grup i madh i përkrahësve të nismës “Për Maqedoni të Përbashkët” hynë në Kuvendin e Maqedonisë, duke sulmuar gazetarët, kameramanët, deputetët dhe zyrtarë të tjerë. Në emër të shënimit të kësaj dite të zezë për demokracinë dhe avokimit për lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, një grup gazetarësh të ndihmuar nga SHGM përmes zyrës së avokatisë Medarski sot ka paraqitur padi. Paditë kundër shtetit u paraqiten për të përcaktuar shkeljen e së drejtës së lirisë së shprehjes dhe për të kompensuar dëmin jopasuror”, bëri të ditur SHGM-ja.
Këto padi vijnë pas thirrjes së SHGM-së me qëllim për të ofruar ndihmë juridike për gazetarët dhe punonjësit mediatik që u sulmuan ose pajisjet e tyre u shkatërruan në Kuvend gjatë asaj ngjarjeje.
“Ju kujtojmë se Prokuroria Themelore Publike u vu në mbrojtje të disa politikanëve dhe kundër disa sulmuesve të tyre u morën masa sipas detyrës zyrtare, që rezultuan me dënime me burg nga gjykata. Përkundër faktit se një grup gazetarësh më parë dhanë deklarata në Prokurorinë Publike për ngjarjet e 27 Prillit, ku pati raste të dhunës fizike, për fat të keq ende nuk ka asnjë procedurë ligjore kundër dhunuesve palë e dëmtuar janë gazetarët. Prandaj, në kushte kur ekzistojnë standarde të dyfishta për gazetarët dhe kur shteti nuk i mbron kolegët tanë, ata detyrohen të kërkojnë drejtësi përmes padive private”,sqaron SHGM-ja.
SHGM dëshiron t’i inkurajojë të gjithë gazetarët të ngrenë zërin kundër sulmeve dhe presioneve ndaj të cilëve janë apo kanë qenë të ekspozuar, dhe kështu të dërgojë mesazh për publikun dhe institucionet se më nuk do të heshtin. Gjithashtu, procedurat gjyqësore do të rrisin presionin ndaj institucioneve për të ndëshkuar sulmuesit, duke parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen.