Një grup qytetarësh në Vlorë kanë protestuar kundër projektit të sheshit të Flamurit në qytet që po kthehet në një terminal autobusësh. Protesta është thirrur nga shoqëria civile, të cilët kanë kërkuar transparencë për këtë projekt, duke pretenduar se po dëmton jo vetëm historinë e qytetit por të gjithë Vlorës. Me megafon në dorë, qytetarët kanë dalë dhe kërkojnë që tërheqjen nga projekti.
“Unë vij nga Tirana, me origjinë jam nga Kuçi i Vlorës. Është një projekt i pakuptimit. Dua kur te kthehem në qytetin tim mos të shoh një terminal autobusësh përballë sheshit të flamurit.”, tha njëri prej protestuesve. Ndërsa një tjetër kërkoi që qytetarët e Vlorës të ngriheshin kundër dhe të kërkonin anulimin e punimeve.
“Mos lejoni të na shkatërrojnë historinë plehrat e Esat Pashë Toptanit dhe Bimbashit. Dilni vlonjatë, mos kini frikë!,”-shtoi ai
Qytetarët thonë se asnjëherë nuk janë pyetur apo konsultuar për të gjithë ndryshimin që po i bëhet sheshit të Flamurit, ndërkohë që përveç aspektit historik janë të shqetësuar edhe lidhur me ndikimin që do të ketë në trafikun e qytetit gjatë verës ky projekt. Ndërsa, një ditë më parë, kryeministri Edi Rama reagoi për këtë protestë duke akuzuar opozitën se ka organizuar protesta kundër urbanizimit të këtij qytetit.

(dosja.al)