Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, gjeneralbrigade Patrick Ryder tha se janë të shqetësuar se Kina, e cila më parë ka shpallur paanshmërinë e saj në luftën Ukrainë-Rusi, mund të heqë dorë nga ky qëndrim i saj dhe të mbështesë Rusinë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë ditore për media, Ryder tha se “nuk e kemi parë ende Kinën t’i japë armë Rusisë, por e dimë që këtë opsion nuk e kanë hequr nga tryeza.
Ai bëri të ditur se kjo do të jetë me kosto për Kinën nëse i jep armë Rusisë dhe se e kanë paralajmëruar Pekinin.
Ryder tha se Kina, si një vend i madh, posedon armë teknologjike shumë më të përparuara.
“Ajo që do të shohim është se Kina e cila ka armë shumë të avancuara dhe e cila më parë ka shpallur paanshmërinë, do të mbajë apo jo anë”, shtoi Ryder.
Ai theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për sa kohë që vazhdon lufta.
SHBA-ja bashkë me paketën e ndihmës të njoftuar së fundmi ka siguruar deri më tani 32 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për ushtrinë e Ukrainës.