8 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSHBA: Serbia të hetojë dhunën dhe parregullsitë në procesin zgjedhor

SHBA: Serbia të hetojë dhunën dhe parregullsitë në procesin zgjedhor

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje të martën autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.

“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga OSBE-ja dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, është e papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë,” deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ai tha se Departamenti amerikan i Shtetit po shqyrton gjetjet paraprake të misionit vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet në Serbi.

“Jemi në dijeni se deklaruan që zgjedhjet e 17 dhjetorit u ofruan votuesve mundësi, alternativë politike. Por ata gjithashtu arritën në përfundimin se zgjedhjet ishin të dëmtuara nga mungesa të shumta procedurale, trysnia ndaj punonjësve publikë dhe keqpërdorimi i burimeve publike dhe se këta faktorë, krahas me përparësitë që i gëzon partia në pushtet, krijojnë kushte të padrejta,” deklaroi zëdhënësi Miller gjatë konferencës për shtyp.

Gjatë ditës, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi, thanë në një deklaratë të përbashkët se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok”.

Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.

Sipas kësaj organizate këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për konkurrencë”. Vëzhguesit dhe mediat e pavarura raportuan se serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar personave që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina e tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.

Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë të martën se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.

Disa mijëra veta protestuan të hënën me pretendimet për mashtrim në zgjedhjet për pushtetin lokal në Beograd dhe më shumë protesta janë paralajmëruar për sot.

Sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare serbe e presidentit Vuçiç doli fituese në zgjedhje, por kundërshtarët e saj kryesorë nga aleanca “Serbia kundër dhunës”, thonë se atyre iu grabit fitorja në Beograd.

Udhëheqësja e këtij koalicioni, Marinika Tepiç, tha të martën se rezultati i zgjedhjeve është i papranueshëm.

“Abuzim i pabesueshëm, vjedhje elektorale. Kjo është arsyeja pse ne nuk pajtohemi me këto rezultate, nuk i pranojmë ato dhe kërkojmë anulimin e zgjedhjeve”, u tha gazetarëve zonja Tepiç para ndërtesës së Komisionit të Zgjedhjeve në Beograd, ku ajo bashkë me kolegun e saj Miroslav Aleksiç kanë hyrë në grevë urie. Pushteti hodhi poshtë pretendimet e tyre.

Protestues të rinj hodhën domate e letra higjienike mbi ndërtesën e Komisionit të zgjedhjeve gjatë protestës së të hënës. Policia tha se arrestoi dy prej tyre për sjellje të dhunshme.

Zyrtarët e lartë evropianë thanë të martën se presin që raportet e besueshme rreth parregullsive të trajtohen në mënyrë transparente nga autoritetet përgjegjëse përfshirë akuzat lidhur me zgjedhjet lokale në Beograd.

Të hënën vonë ministria e Jashtme gjermane duke iu referuar gjetjeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsitë në zgjedhjet serbe tha se “kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”.

Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.

Qasja ndaj Kosovës pas zgjedhjeve në Serbi

Zgjedhjet në Serbi përkuan me një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, mes tensioneve të larta që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.

Në tetor udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Analisti Lulzim Peci nga Instituti për hartimin e politikave tha se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk paralajmërojnë ndonjë ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës. Në një bisedë më Zërin e Amerikës ai tha se nuk beson që presidenti serb Vuçiç do të hedh hapa vendimtar drejt Bashkimit Evropian dhe kjo do të pasqyrohet edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën…

“Derisa Serbia nuk e pranon me letër marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit të cilin pak para zgjedhjeve me letër e dërgoj që nuk e pranon, unë nuk mendoj që ka shpresë për zbatimin e kësaj marrëveshje”, tha zoti Peci.

Sipas tij perëndimi duhet ta rimendojë strategjinë ndaj Serbisë dhe shtetet anëtare të NATO-s duhet të angazhohen në kufizimin e hapësirës së Beogradit për ngritjen e tensioneve në rajon.

“Mendoj që e vetmja zgjidhje është krijimi i një situate të re të sigurisë e cila do të siguronte stabilitetin rajonal edhe pastaj të vazhdohet kështu si jemi, në një formë gjysmë status-quo”, tha ai.

Serbia aspiron integrimin evropian, por vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj saj për shkak të agresionit në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.

Kremlini përgëzoi presidentin serb Vuçiç për fitoren në zgjedhjet e së dielës duke e quajtur Serbinë një komb “vëllazëror” dhe “miqësor”.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments