Presidenti amerikan, Donald Trump, e vlerësoi si “të shkëlqyer” marrëdhënien me Kinën, duke thënë se dy superfuqitë arritën një marrëveshje pas dy ditësh bisedimesh që synonin ruajtjen e një armëpushimi në luftën tregtare mes tyre.
Trump shkroi në platformën e tij, Truth Social, se Kina do të furnizojë SHBA-në me minerale të rralla të tokës dhe magnetë – elemente të rëndësishme për industrinë amerikane – ndërsa Uashingtoni do t’u lejojë studentëve kinezë të vazhdojnë studimet në universitetet amerikane.Postimi i tij erdhi pasi kryenegociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës njoftuan të martën vonë për një marrëveshje kornizë, pas dy ditësh bisedimesh maratonë në Londër.
“Marrëveshja jonë me Kinën është arritur”, shkroi Trump, duke shtuar se marrëveshja ende është “në pritje të miratimit përfundimtar nga presidenti [i Kinës] Xi Jinping dhe unë”.“Në bashkëpunim të ngushtë, presidenti Xi dhe unë do të punojmë për të hapur tregun kinez për tregtinë amerikane”, tha ai në një postim tjetër.
Pas negociatave që zgjatën më shumë se 20 orë, sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, tha të mërkurën se bisedimet ishin “në rrugën e duhur”.
“Ata do të miratojnë menjëherë të gjitha aplikimet për magnetë nga kompanitë amerikane”, tha ai për CNBC, duke iu referuar asaj që pritet të ndodhë pasi Trump dhe Xi t’i japin dritën jeshile marrëveshjes.
Ai shtoi se Uashingtoni do t’i heqë masat e veta sapo Kina të veprojë, duke theksuar se nivelet aktuale të tarifave amerikane ndaj Kinës nuk do të ndryshojnë.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha para ligjvënësve se është e mundur të rivendosen balancat në marrëdhëniet ekonomike me Kinën, nëse Pekini dëshmon se është një “partner i besueshëm në bisedimet tregtare”.
Të dy palët janë pajtuar që të ulin tarifat reciproke gjatë bisedimeve që u mbajtën muajin e kaluar në Gjenevë. Por, marrëveshja u duk se u lëkund pasi Trump e akuzoi Kinën për shkelje të saj.
Uashingtoni është shqetësuar për ngadalësimin e furnizimeve me minerale të rralla të tokës, pasi Pekini, në fillim të prillit, nisi të kërkojë që eksportuesit vendas të aplikojnë për një licencë – një veprim që u pa gjerësisht si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga SHBA-ja.
Mineralet e rralla të tokës përdoren në gjithçka: nga automjetet elektrike te hard disqet, turbinat me erë dhe raketat.
Trump tha se Kina do të furnizojë “magnetë të gatshëm dhe çdo mineral të rrallë të nevojshëm”.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se Uashingtoni do të zbatojë tarifa prej 55 për qind ndaj mallrave kineze.
Ai shtoi se Pekini ka vendosur tarifa prej 10 për qind për mallrat amerikane.
Këto norma tarifore janë të njëjta me ato që ishin rënë dakord më parë në kuadër të një armëpushimi në luftën tregtare, i cili përkohësisht uli tarifat amerikane nga 145 për qind dhe ato të vendosura nga Kina nga 125 për qind./Radio Evropa e Lirë