Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se SHBA-ja dënon plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë. Ai tha gjithashtu se janë “mirënjohës që autoritetet vepruan shpejt dhe arrestuan të dyshuarin”.
Hovenier e ka bërë këtë deklaratë të shtunën pasi mori pjesë në liturgjinë e Krishtlindjeve në manastirin e Graçanicës.
“Ishte nder për mua që peshkopi Teodosije më ftoi të marr pjesë në shërbesën e mëngjesit për Krishtlindje dhe është traditë shekullore të përjetosh diçka të tillë”.
Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka dënuar plagosjen e dy të rinjve në këtë komunë dhe ka kërkuar që autoritetet që ta hetojnë rastin.
“BE-ja dënon me vendosmëri plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë dje”, ka shkruar ai në Twitter.
Më 6 janar Policia e Kosovës (PK) njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës.
Sipas njoftimit, ndaj tyre është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt.
Lidhur me rastin PK ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj tha dje se “në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” dhe se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje për dalje në protestë pas plagosjes së dy të rinjve serbë në këtë komunë.
Ai ka shkruar më 7 dhjetor në rrjetin social Facebook se protesta do të mbahet të dielën në ora 12:00, para Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Ndaj incidentit në Shtërpcë kanë reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. Ndërsa Kurti tha se është “thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre”.
Edhe përfaqësues tjerë ndërkombëtar kanë dënuar incidentin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.