SHBA do t’i ofrojë Ukrainës një marrëveshje dypalëshe, në të cilën propozohet garantimi i sigurisë së vendit në këmbim të pjesës së përbashkët të burimeve natyrore të vendit përmes një “Fondi të Investimeve të Rindërtimit”.
Sipas një projekt-marrëveshje të re, ky fond do të synojë zhvillimin ekonomik të vendit duke përfshirë sektorët e burimeve minerale të naftës dhe gazit, si dhe infrastrukturën dhe portet, derisa të arrihet financimi i plotë i tij
Fondi do të operojë gjatë periudhës së mbrojtjes dhe rindërtimit të Ukrainës. Qeveria e Ukrainës pritet të kontribuojë me 50% të të ardhurave nga burimet në fond, ndërsa në rastin e territoreve të pushtuara nga Rusia, të cilat mund të çlirohen, ky kontribut rritet në 66%.
Kontributet e Ukrainës do të vazhdojnë “derisa të arrijnë shumën prej 500 miliardë Dollarësh”, sipas dokumentit.
Nga ana tjetër, Presidenti rus Vladimir Putin tha se ai është i hapur për t’i ofruar SHBA-së akses në minerale të rralla, duke përfshirë edhe territoret e pushtuara të Ukrainës. Në një intervistë televizive, Putin tha se ishte gati të “ofrojë” burime partnerëve amerikanë projekte të përbashkëta, duke përfshirë minierat në “territoret e reja” të Rusisë.
“Metalet e rralla janë një komponent shumë i rëndësishëm. Ne do të ishim të gatshëm të bashkëpunonim me partnerët tanë amerikanë, nëse ata do të tregonin interes për të punuar së bashku. Për sa i përket territoreve të reja, jemi gati të tërheqim partnerë të huaj në të ashtuquajturat territoret tona të reja historike, të cilat janë kthyer në Federatën Ruse, ku ka gjithashtu rezerva të caktuara atje”, tha Vladimir Putin.
Sipas këtij propozimi, dy vendet mund të bashkëpunojnë për nxjerrjen dhe furnizimin e aluminit në SHBA për të stabilizuar çmimet, sipas Putin. Komentet e presidentit rus vijnë pasi Ukraina është përballur me presion në rritje nga administrata Trump për të nënshkruar një marrëveshje për akses në depozitat e saj minerale.
Kievi vlerëson se rreth 5% e lëndëve të para kritike në botë janë në Ukrainë. Megjithatë, disa nga depozitat minerale janë kapur nga Rusia në tre vitet që nga pushtimi i saj në Ukrainë.
Në mënyrë të ngjashme – megjithëse në një qasje të ndryshme ndaj SHBA-së -Bashkimi Evropian ka propozuar gjithashtu një partneritet me Ukrainën që do t’i jepte asaj akses në minerale.(Klan News)