22.8 C
Tetovo
E shtunë, 26 Korrik, 2025
BallinaLajmeBotaSHBA e shqetësuar për bashkëpunimin e Malit të Zi me Kinën në...

SHBA e shqetësuar për bashkëpunimin e Malit të Zi me Kinën në fushën kibernetike

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga raportet për bashkëpunim mes Universitetit të Malit të Zi dhe Qendrës Kombëtare Kineze të Superkompjuterëve Gjinan, thotë Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

“Ky institucion drejtohet nga Universiteti Kombëtar i Teknologjisë së Mbrojtjes i Kinës, i cili është nën sanksione nga Departamenti i Tregtisë i SHBA-së”, thuhet në përgjigje.

Më 18 korrik, Universiteti shtetëror i Malit të Zi nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me këtë qendër në fushën e kriptografisë, atë të inteligjencës artificiale dhe të sigurisë kibernetike. DASH-i thekson se Mali i Zi është aleat i NATO-s dhe lider në ndërtimin e kapaciteteve rajonale kibernetike.“Partneritetet e tij në fusha të ndjeshme, si inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike, duhet të jenë në përputhje me prioritetet e përbashkëta të NATO-s në siguri dhe të shmangin bashkëpunimin me subjekte të lidhura me përpjekjet e Kinës për modernizim ushtarak”, sipas DASH-it.

Ky departament thekson, po ashtu, se është e rëndësishme që “institucionet akademike dhe kërkimore të miratojnë masa të forta sigurie, duke përfshirë, por pa u kufizuar në verifikimin e bashkëpunimeve dhe lidhjeve të tyre të mundshme me subjektet shqetësuese”.

Përndryshe, nënshkruesi i memorandumit, rektori i Universitetit të Malit të Zi, Vlladimir Bozhoviq, mori doktoratën në SHBA pikërisht në fushën e matematikës dhe kriptografisë dhe shkencës së metodave dhe parimeve të enkriptimit.

Gjatë studimeve, ai punoi gjithashtu si studiues në Qendrën për Kriptologji dhe Siguri të Informacionit (CCIS).

Zyra e Rektorit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse e konsideron si problematik nënshkrimin e memorandumit me një kompani nën sanksione, marrë parasysh se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe seli e Qendrës Rajonale për Kapacitete Kibernetike.Megjithatë, kjo nuk është e vetmja kompani ose institucion kinez me të cilin Universiteti i Malit të Zi po forcon bashkëpunimin, e që është edhe nën sanksione të SHBA-së.

Një delegacion nga Universiteti i Malit të Zi, i udhëhequr nga rektori Bozhoviq, qëndroi në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar, ku, përveç universiteteve lokale, vizitoi edhe kompanitë Alibaba Cloud dhe Hikvision.

Universiteti i Malit të Zi tha se ata prezantuan produktet e tyre në fushën e teknologjisë ‘cloud’ dhe të inteligjencës artificiale.

Alibaba Cloud është kompania më e madhe në këtë fushë në Azi dhe e katërta në botë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments