Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord për katër parime pas bisedimeve që zgjatën më shumë se katër orë në Arabinë Saudite.
Kështu deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili zbuloi edhe disa detaje, shkruan cnn.
Të rinisim funksionalitetin e misioneve tona përkatëse në Uashington dhe Moskë. Për të mundësuar vazhdimin e këtij rrugëtimi, na duhet të kemi mundësi diplomatike që funksionojnë dhe operojnë normalisht;
Do të emërojmë një ekip të lartë nga ana jonë për të ndihmuar në negociatat dhe punën për mbylljen e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë që është e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira;
Të fillojmë të diskutojmë, të mendojmë dhe të shqyrtojmë bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik që mund të rezultojë pas mbylljes së konfliktit në Ukrainë;
Ne pesë që ishim këtu sot… do të mbetemi të angazhuar në këtë proces për t’u siguruar që po ecën përpara në një mënyrë produktive;
Pesë personat që Rubio përmendi ishin ai vetë, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, I Dërguari i Posaçëm, Steve Witkoff, si dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe ndihmësi i presidentit, Yuri Ushakov.
Ndërkohë, Lavrov tha se bisedimet me zyrtarët amerikanë të martën në Riad ishin “të dobishme”.
“Mendoj se biseda ishte shumë e dobishme. Nuk e dëgjuam vetëm njëri-tjetrin, por edhe e kuptuam njëri-tjetrin”, tha ai.
Lavrov gjithashtu tha se u kishte thënë diplomatëve amerikanë në Riad se nëse Ukraina i bashkohej NATO-s, kjo do të paraqiste një “kërcënim të drejtpërdrejtë” për sovranitetin rus.
Ndryshe, Ukraina nuk ishte e përfshirë në bisedimet e para të zhvilluara në Riad të Arabisë Saudite.