Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ) në Serbi ka njoftuar se nuk ka kushte të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë.
Kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviq, ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi institucionet e Kosovës, sipas tij, e kushtëzojnë votimin me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe refuzojnë të bashkëpunojnë me OSBE-në në organizimin e zgjedhjeve.
Sipas Dimitrijeviq, siç shkruan “Danas”, ata kanë dërguar një letër Zyrës për Kosovë për të shpjeguar mënyrën se si do të mundësohet votimi i qytetarëve nga Kosova në vendet e tjera, duke përfshirë Vranjën, Kurshumlin, Rashkën dhe Tutin.
“Ne jemi njoftuar nga zyra se nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë që do të ishte në përputhje me rregullat ligjore, sepse institucionet e Kosovës të kryesuara nga Albin Kurti e kushtëzojnë votimin me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të refuzojë të sigurojë funksionimin e OSBE-së, e cila ndihmon në organizimin e zgjedhjeve që nga viti 2012”, ka deklaruar Dimitrijeviq.
Anëtari i KRZ-së, Nemanja Stankoviq, ka propozuar që KRZ të drejtohet te Qeveria e Serbisë për të kontaktuar UNMIK-un dhe autoritetet e tjera, duke theksuar se nuk duhet të heqin dorë lehtë nga votimet në Kosovë.
Megjithatë, anëtari i KRZ-së, Miroslav Vasiq, ka shprehur dyshime rreth komunikimit me Zyrën për Kosovë dhe ka theksuar se ekzistojnë garantues ndërkombëtarë të marrëveshjeve të ndryshme që nuk duhet të injorohen.
Zheljka Radeta ka shtuar se roli i OSBE-së në zgjedhjet në Serbi ka marrë fund, ndërsa Zyra për Kosovë në letër ka argumentuar se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe se zhvendosja e vendvotimeve në Serbi është “vendimi i vetëm i mundshëm dhe i drejtë”.