3.8 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaSenatori australian Jonothon Duniam, kritikon ashpër ambasadoren amerikane në Shqipëri Yuri Kim....

Senatori australian Jonothon Duniam, kritikon ashpër ambasadoren amerikane në Shqipëri Yuri Kim. (video)

Senatori i njohur australian, Jonothon Duniam, ka kritikuar ashpër ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Duke folur në parlamentin e Australisë, Duniam thotë se Kim po e tërheq Shqipërinë në të shkuarën. Gjatë fjalimit, Duniam thekson disa herë se ai po e mban këtë fjalim për shkak të lidhjeve të tij me Shqipërinë dhe ndjeshmërisë që ka ai për këtë vend të vuajtur. Duniam është martuar me një shqiptare.

Jam këtu sot për të folur për një çështje që, deri diku, nuk ka të bëjë me punën e kësaj dhome. Por është diçka që e kam personalisht për zemër. Kushdo që më njeh e di se kam lidhje të forta me kombin e vogël evropian të Shqipërisë për shkak të lidhjeve familjare me atë vend. Për atë vend dëshiroj të flas sot, si dhe për disa prej gjërave që po ndodhin atje gjatë vitit të fundit e më herët.

Sigurisht, historia e Shqipërisë nuk është e bukur, veçanërisht 70-80 vitet e fundit, sidomos me sundimin e atij që mund ta quajmë lehtë e me të drejtë diktatori i lig Enver Hoxha dhe regjimit komunist që shtypi miliona njerëz. Historitë që më kanë treguar për ndikimin që kjo ka pasur në jetën e njerëzve që kam takuar dhe të tjerëve që janë të afërt me ta, janë histori të padurueshme, diçka që më kujton vazhdimisht se sa me fat jemi në këtë vend.

Por, si rezultat i asaj periudhe shtypjeje dhe mënyrës se si njerëzit u shtypën dhe iu mohua e drejta e votës, të shprehurit, të jetuarit ku të dëshironin, të bërit punën që dëshironin, sistemi që kanë tani pas rënies së komunizmit në vitet 1990 nuk është si sistemi me të cilin jemi mësuar këtu në Australi. Një sistem që nuk mund t’i durojë disa prej trysnive në të cilat vende të vogla me demokraci të reja bien lehtësisht.

Mbi këto baza dhe në dijeni të disa prej çështjeve që kanë në atë vend, u shqetësova shumë kur pashë disa prej veprimtarive të një anëtari të trupit diplomatik prej një vendi tjetër, prej ShBA-ve, caktuar në Shqipëri. Mendoj se kushdo që ka pasur çfarëdolloj ndërveprimi me cilindo anëtar të trupit diplomatik prej çfarëdo vendi kudo në botë e kupton rolin e diplomatit. Roli i tyre është të punojnë në emër të vendit që përfaqësojnë në vendin ku janë caktuar, nga kryetari i misionit e deri tek anëtari më i ulët i stafit administrativ. Roli i tyre nuk është të përfshihet në procesin politik apo në ndonjë proces juridik. Nuk është të ofrojnë komente mbi çështjet politike të ditës. Roli i tyre është të përkrahin forcimin e marrëdhënieve mes kombit të origjinës – në këtë rast, po flasim për ShBA-të dhe kombit ku janë caktuar, vendit ku po përfaqëson kombin tënd, në këtë rast Shqipëria. Roli është të farkëtojnë lidhje më të forta tregtare, të flasin për mekanizmat e sigurisë, të ndihmojnë njerëzit në çështje që kanë të bëjnë me vizat dhe pasaportat. Gjëra të tilla.

Siç e thashë, kushdo në këtë dhomë, kushdo që i është dashur të merret ndonjëherë më dikë prej trupit diplomatik, do ta kuptonte se kjo është puna e ambasadorit, komisionerit, këshilltarit, a kujtdo tjetër në një ambasadë. Për këtë arsye, më duket më se e habitshme që ambasadorja e Sh.B.A.-ve në Shqipëri, ambasadorja Yuri Kim, ka marrë përsipër të ofrojë komente mbi çka ndodh në atë vend. Vend ky që, siç e thashë, është relativisht i paqëndrueshëm kur vjen puna te mekanizmat politikë. Ka shpeshherë trazira, siç kemi parë në shumë vende evropiane, sa i përket rezultateve të zgjedhjeve, gjërave që ndodhin mes zgjedhjeve.

Pra, është edhe më e rëndësishme në një vend të tillë, veçanërisht kur vjen prej një vendi që e do demokracinë, që është themeluar mbi lirinë dhe të drejtat, t’i respektosh ato liri e të drejta të njerëzve të vendit ku je caktuar. Ndaj, kur shoh postime prej ambasadores Kim që reflekton mbi pretendimet e kanosjes ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, disi politikisht të motivuara, për të shtrembëruar drejtësinë, për të ngulur këmbë për pandëshkueshmërinë e të fuqishmëve, për ta tërhequr Shqipërinë në të shkuarën – nuk më tingëllojnë si fjalë të një përfaqësuesi diplomatik.

Më tingëllojnë më shumë si aktivizëm. Për më tepër, janë në një forum publik. Nuk janë komunikata mes një kryetari misioni, një përfaqësuesi të një qeverie të huaj dhe qeverisë së atij vendi. Këto janë në Twitter. Janë për konsum publik. Për shkak se janë fjalët e një kryetareje misioni të një vendi domethënës liridashës, bartin me vete një masë besueshmërie. Kam këtu një seri postimesh. Arsyeja pse e ngre këtë çështje është sepse Shqipëria, siç e thashë, është një vend që e kam shumë për zemër. Një vend i brishtë, me demokraci të brishtë, demokraci të cilën njerëzit atje përpiqen ta mbrojnë, pavarësisht se në cilin kah politik janë.

Ndaj, kur përfaqësues të kombeve vijnë dhe bëjnë komente të tilla, aq më tepër nga platforma e një ambasadoreje, është diçka që duhet të na shqetësojë. E sjell për diskutim sot, sepse nuk besoj se është e drejtë që vende të tjera të ndërhyjnë përmes mjetesh diplomatike në punët e një kombi tjetër. Ekzistojnë kanalet e duhura për t’u marrë me supozimet për korrupsion dhe krim. Ato kanale duhen përdorur, prej njerëzve brenda atij vendi, jo prej anëtarëve të trupit diplomatik.

Shqetësuese siç edhe janë, komentet e ambasadores Kim, kaq larg sa jemi ne këtu në Australi, fituan qortimin e një kolegeje diplomate, ambasadores franceze në Shqipëri, e cila dha mesazhin se çështjet e Shqipërisë duhet t’ua lëmë shqiptarëve, se nuk na takon ne të vendosim për këto çështje. Fjalët e saj në një intervistë për Euronews Shqipëri – Elisabeth Barsacq quhet ambasadorja – ishin se nuk u takon ambasadorëve të huaj të vendosin për Shqipërinë, duke dhënë mesazhin e qartë se u takon atyre që janë zgjedhës në atë bashkësi.

Dua që ta mbajmë shënim sot a vihen re këto gjëra që po bëhen prej çka dyshoj është një diplomate e pandershme dhe jo prej qeverisë së Sh.B.A.-ve. Më intereson shumë kjo dhe shpresoj të marrë fund. /Syri.net

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments