“Luftë antikorrupsion dhe sanksione ndaj atyre që destabilizojnë rajonin”
Ballkani Perëndimor bën bashkë si rrallë herë rivalët demokratë dhe ata republikanë në Senatin Amerikan. Republikani Roger Wicker dhe demokratja Jeanine Shaheenjanë bashkëhartues të projektligjit që synon të thellojë bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Jeanine Shaheen : Projektligji i ri dypartiak forcon tregtinë dhe investimet mes SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke luftuar në të njejtën kohë korrupsionin, nëpërmjet miratimit të një legjislacioni të posaçëm për sanksione kundër aktorëve destabilizues. Të gjitha këto ndihmojë integrimin euro-atlantik.
Projektligji, i njohur ndryshe edhe si Ligji për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, ndërmerret si nismë mes shqetësimeve të rritura në rajon për shkak të luftës në Ukrainë. Siç shpjegojnë bashkëhartuesit, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ballkanit Perëndimor janë thelbësore veçanërisht në këto momente, ku duken qartë synimet e presidentit rus Vladimir Putin, për të përhapur ndikim dashakeq në gjithë Evropën Lindore.
Projektligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor për të zhvilluar një strategji kombëtare kundër korrupsionit. Po ashtu, parashikohet shndërrimi në ligj i dy urdhrave ekzekutivë për sanksione kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe që janë të përfshirë në akte korruptive.
Senatorët amerikanë vlerësojnë gjithashtu se stabilitetit i Ballkanit Perëndimor është kritik për sigurinë e Evropës.