Një marrëveshje që synon t’i japë fund mbylljes më të gjatë në histori të qeverisë amerikane është miratuar nga Senati, duke hapur rrugën për zgjidhjen e bllokimit.
Pas një fundjave negociatash në Uashington, një pjesë e demokratëve iu bashkuan republikanëve dhe votuan në favor të marrëveshjes së kompromisit. Ky votim përbën hapin e parë procedural drejt miratimit të planit për financimin e qeverisë, e cila mbeti pa fonde që prej 1 tetorit, raporton BBC.
Megjithatë, marrëveshja duhet të kalojë edhe disa etapa të tjera, përfshirë votimin në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se shërbimet federale dhe punonjësit të rikthehen në punë. Pavarësisht kësaj, zhvillimi i sotëm shihet si sinjali i parë serioz i përparimit pas 40 ditësh ngërç.
Mbyllja aktuale është më e gjata ndonjëherë në historinë e SHBA-së, dhe deri në këtë fundjavë, demokratët dhe republikanët dukeshin të bllokuar në një përplasje të pafund.
Që prej tetorit, shumë shërbime qeveritare janë pezulluar, ndërsa rreth 1.4 milionë punonjës federalë ndodhen në pushim të detyruar ose po punojnë pa pagesë.
Kriza ka ndikuar gjithashtu në fusha të gjera të jetës publike, përfshirë udhëtimet ajrore në SHBA dhe përfitimet ushqimore për rreth 41 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta.
