Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, i ka parashtruar një pyetje ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, lidhur me të akuzuarit e Grupit të Kumanovës që janë nga Kosova, njofton Insajderi.
Syla e ka pyetur Selimin nëse po shikohet mundësia që në marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, shtetasit kosovarë të sillen në Kosovë.
Selimi tha se ka vendosur kontakte me ministren e Drejtësisë nga Maqedonia e Veriut, Renata Destovska, me të cilën pohoi se ka disktuar për situatën e këtyre shtetasve kosovarë.
“Me të marrë detyrën si ministër i Drejtësisë kam vendosur kontakte me ministren e Drejtësisë, zonjën Renata Destovksa, kemi diskutuar edhe për shqiptarët e Kosovës që ndodhen në shërbimet korrekutuese të Maqedonisë së Veriut. Me sa kemi ne informacione kjo çështje është në procedurë të ankimimit”, tha ai.
Selimi ka deklaruar se ministres maqedonase i ka shprehur vullnetin që Kosova të lidhë marrëveshje ekstradimi për kosovarët me shtetin maqedonas.
Por, ai tha se së pari çështja gjyqësore atje duhet të marrë epilog.
“I kam thënë që shteti i Kosovës është i gatshëm të lidhë marrëdhënie ekstradimi me shtetin maqedonas, kurdo që kjo çështje të marr epilog. Pra marrëveshja e ekstradimti mund të ndodh kur rasti të marr epilog përfundimtar. Kemi marrë garanca se drejtësia nuk do të jetë diskriminuese”, tha ai.
Selimi shtoi se numri i kosovarëve që vuajnë dënim jashtë vendit, është më i madh se numri që vuajnë dënim brenda vendit.
“Fatkeqësisht numri i qytetarëve të Kosovës që vuajnë dënimet jashtë Kosovës, është më i madh se numri i atyre që vuajnë dënimet në Kosovë”, tha ai./Insajderi.com