Policia e Kumanovës ka sekuestruar një makinë në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës në kuadër të hetimi që po kryhet mbi përdhunimin dhe shantazhin e së miturës nga ana e disa personave, dy prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Informacionin se vetura e tipit Golf 5 ngjyrë e kuqe me targa të Kumanovës ndodhet në Stacionin Policorë e konfirmoi Ministria e Brendshme.
“Makina është sekuestruar me qëllim kryerjen e masave krim-teknike e që lidhen me veprat penale të kryera në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës”, thonë nga Ministria e Brendshme.
Jo zyrtarisht, e mitura në deklaratën e saj para policisë kishte deklaruar se akti i përdhunimit kishte ndodhur në një makinë. Për këto arsye policia e ka sekuestruar makinën dhe brenda të njëjtën kërkon prova që duhet ta vërtetojnë veprën penale.
Ndërkohë prej një javësh tashmë, telefonat celular të dy të dyshuarve që ndodhen në paraburgim dhe telefoni i së miturës janë dërguar për ekspertiza shtesë.
Nga aty pritet të dalin të gjitha dëshmitë për dyshimet e bazuara se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë, të cilëve nëse i përputhen veprimet me veprat penale, do të përfshihen në hetim.
