Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të premten se pushtimi i Ukrainës nga Rusia “mund të fillojë në çdo kohë”, përfshirë edhe gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, që po mbahen në Pekin.
Ndërkohë, ShBA-ja vazhdon të shohë “shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus, duke përfshirë edhe forcat e reja që kanë arritur në kufirin me Ukrainën”.
Diplomati i lartë amerikan i ka bërë këto komente së bashku me homologët e tij nga Quad – Australia, India dhe Japonia – pas një dite takimesh në Melbourne dhe pasi Departamenti Amerikan i Shtetit dhe presidenti Joe Biden kanë paralajmëruar qytetarët amerikanë që të largoheshin menjëherë nga Ukraina.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, ne jemi në një moment kur një pushtim mund të nisë në çdo kohë – dhe për të qenë i qartë kjo përfshin edhe kohën e Lojërave Olimpike”, ka thënë Blinken, transmeton Klankosova.tv.
“ShBA-ja dhe aleatët e saj kanë marrë informacione të reja të inteligjencës, që sugjerojnë që Rusia mund të nisë një sulm ndaj Ukrainës edhe para përfundimit të Lojërave Olimpike”, kanë thënë disa burime për CNN-in.
Përpara fillimit të Lojërave Olimpike, këtë muaj, zëvendëssekretarja Amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, sugjeroi se Lojërat Olimpike, që organizohen nga Kina, mund të ndikojnë që presidenti rus, Vladimir Putin, ta mendojë si kohë të përshtatshme për pushtimin e mundshëm.
Putin ka udhëtuar në Pekin për të qenë pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike, ku është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping. Të dy bënë një pakt, ku u zotuan se nuk ka kufizime për bashkëpunimin e tyre.Blinken iu tha gazetarëve, në konferencën e përbashkët për media të premten, se ShBA-ja “po vazhdon të tërheqë ambasadën” në kryeqytetin ukrainas të Kievit dhe “do të vazhdojë atë proces”