Qeveria ka tërhequr propozim-ligjin për arsim të mesëm. Edhe pse i njëjti kaloi në lexim të parë, sërish Qeveria vendosi ta tërheq të njëjtin. Me këtë rast, koalicioni VLEN ka thënë se me këtë u dëshmua se “faktori kyç që është garantuese e interesave shqiptare është vetëm VLEN”.
“Pas parashtrimit te amendamenteve nga ana e koalicionit VLEN, Qeveria e tërhoqi Ligjin për arsim të mesëm. U dëshmua edhe njëherë se faktori kyç që është garantuese e interesave shqiptare është vetëm VLEN. Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej – parashtruam amendamente. Si rezultat kemi tërheqjen e Ligjit nga ana e Qeverisë. Intonimi shtetëror nuk do të bëhet në shkollat e vendit, por në Veles po, sepse BDI ka votuar pro intonimit të himnit maqedonas në atë komunë. VLEN është garanca se nuk do të kalojnë ligje të njëanshme sikur që ka ndodhur me BDI-në në të kaluarën”, thonë nga VLEN-i.
Megjithatë, dje herët në mëngjes, kishte reaguar edhe BDI e Ali Ahmeti. Kjo parti edhe një herë i kishte bërë thirrje VMRO-DPMNE-së të ndal provokimet etnike dhe të tërheqë menjëherë Ligjin për arsimin e mesëm, i cili siç thotë BDI, përbën një akt të papranueshëm dhe imponon supremaci dhe ekskluzivitet etnik.
“Apelojmë edhe tek VLEN, nëse ju ka mbetur qoftë edhe një atom dinjiteti, që të reflektoni dhe të tërhiqni këtë ligj të turpshëm, i cili ka nxjerrë në pah dështimin tuaj për të kuptuar rëndësinë e një arsimi cilësor e gjithëpërfshirës. Është e vështirë dhe njëkohësisht turpëruese të shohim qëndrimin tuaj në këtë situatë, të cilën vetë e keni krijuar. Tërhiqni ligjin, sepse një gjë është e sigurt: nëse nuk e tërhiqni ju, do ta ndalim ne!”.
Me këtë rast, deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, deklaroi se propozim-ligji për shkollim të mesëm është tërhequr falë reagimit të popullit dhe jo nga dëshira e qeveritarëve.
“Propozimi për Ligjin për shkollim të mesëm nuk u tërhoq nga dëshira e qeveritarëve pa legjitimitet etnik por u tërhoq falë reagimit të fuqishëm të popullit! Ky është një shembull i qartë i asaj se çfarë mund të arrihet kur zëri i qytetarëve dëgjohet në Kuvend dhe kur ne qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, respekti i ndërsjellë dhe barazia midis shqiptarëve dhe maqedonasve janë gurëthemeli për stabilitet, siguri dhe një të ardhme të qëndrueshme. Cenimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Qeveria është i papranueshëm!”, u shpreh Bexheti.
Ndryshe, në opinion u bë zhurmë për këtë propozim-ligj. Mes tjerash, propozim-ligji parashihte që, në fillim dhe mbarim të vitit shkollor, si dhe në festa të veçanta, të intonohet himni shtetëror i Maqedonisë së Veriut. Krahas kësaj, parashihej gjithashtu që edhe shkollat me paralele me mësim në gjuhën shqipe, në ditarët shkollor, orët dhe përshkrimi i notave të shënohet në dy gjuhë – maqedonisht dhe shqip.