NEDELKOV: MOMENTALISHT NUK KEMI KOMUNIKIME AS ME QEVERINË AS ME MINISTRITË
Kopshtet për fëmijë, arsimi fillor dhe i mesëm si dhe punonjësit e kulturës prej më 11 prill do të shkojnë në grevë të përgjithshme, nëse në ndërkohë nuk u pranohen kërkesat për rritje të pagave. Kryetari i Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë, Jakim Nedelkov tha për Klan M se, po rrjedhin procedurat e nevojshme për këtë, bordet rajonale punojnë me organizatat sindikale, sjellin vendime dhe është pothuajse e dukshme që këshilli i SASHK-ut do të sjell vendim për grevë të përgjithshme nga 11 prilli. Ai tha se grevës do t’i bashkëngjiten edhe punonjësit e kulturës.
JAKIM NEDELKOV, KRYETAR I SASHK-ut
“Çerdhet të cilat janë ndoshta më të prekurat ku ka 10 vende të punës me pika të ndryshme barazohen dhe do të marrin paga të njëjta, më pas arsimi fillor dhe i mesëm ku po ashtu kemi raste me 4 përkatësisht 5 pozicione të punës me arsim të njëjtë. Informatat më të reja që na vijnë është se, në veprimtarinë e kulturës ka problem me zbatimin e marrëveshjeve kolektive, që i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe Ministria e Kulturës vlerëson se, nuk mund të jap pagat sipas marrëveshjes së re kolektive, që gjithashtu është e papranueshme për ne”.
I pyetur nga tv Klan M nëse po zhvillohen bisedime me Qeverinë dhe ministritë përkatëse, ai tha se fatkeqësisht nga dita e mërkurë, kur është mbajtur mbledhja e Këshillit Social Ekonomik në Qeveri, nuk ka pasur më tej komunikime.
JAKIM NEDELKOV, KRYETAR I SASHK-ut
“Qëndrime adekuate në lidhje me kërkesat tona për rritjen e pagave dhanë zëvendëskryeministri Bytyqi, këtu ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale. Fatkeqësisht ky takim pune nuk përfundoi me marrëveshje, nuk kishte qëndrime të përbashkëta të cilat do të mundeshim t’i pranojmë dhe kështu siç qëndrojnë punët tani, jemi shumë larg gjetjen së zgjidhjes”.
Kujtojmë se të mërkurën, në këshillin ekonomiko – social që u mbajt në Qeveri, nuk u arrit marrëveshje për harmonizim të pagave të tjera me pagën minimale. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike pas takimit tha se, dialogu mes sindikatave dhe ministritë duhet të vazhdojnë në të gjitha nivelet. Ai porositi se, Qeveria mbetet në përcaktimin për rritje të pagave në arsim për pesë përqind në shtator. /KlanMacedonia/