3.7 C
Tetovo
E mërkurë, 28 Janar, 2026
BallinaLajmeSalih Murat përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Forumin e Grave Parlamentare në...

Salih Murat përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Forumin e Grave Parlamentare në Abu Dhabi

Deputeti Salih Murat ka marrë pjesë në Forumin e Dytë të Grave Parlamentare të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (APM), i mbajtur më 26 dhe 27 janar në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Si kryesues i delegacionit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Murat së bashku me deputetet Jovana Trençevska dhe Dafina Stojanoska përfaqësuan vendin në këtë forum që trajtoi tema kyçe si fuqizimi ekonomik dhe politik i grave, arsimi, shëndetësia, mbrojtja e mjedisit si dhe roli i grave në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Në fjalën e tij, Murat theksoi se sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut është ndërtuar mbi barazinë gjinore, përfshirjen dhe dialogun ndërkulturor. Ai përmendi edhe masat mbështetëse në shëndetësi për gratë, përfshirë ekipet mobile mjekësore, lejen e lindjes dhe monitorimin e pacientëve në distancë.

Duke folur për sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit, Murat nënvizoi rolin kyç të grave në parandalim, duke bërë të ditur se gratë përbëjnë tashmë 12 për qind të ushtrisë së vendit, ndërsa 21.6 për qind e oficerëve janë gra.

Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, delegacioni zhvilloi edhe një takim me presidentin e APM-së, Giulio Centemero, ku u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Murat kërkoi mbështetje konkrete për tejkalimin e pengesave në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit.

Në kuadër të konferencës u zhvilluan edhe takime bilaterale me delegacione nga Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera pjesëmarrëse.

Murat falënderoi organizatorët për mikpritjen dhe vlerësoi forumin si një platformë të rëndësishme për forcimin e dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments