Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për media ditën sotme akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për lidhje me skandale të mëdha korruptive dhe për përfshirje në afera kriminale. Berisha cilësoi largimin e Veliajt nga Shqipëria si një akt të organizuar nga Edi Rama, kryeministri aktual, duke theksuar se ky veprim kishte si qëllim fshehjen e vjedhjeve të mëdha dhe pasurive të paligjshme.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama”, deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, ky akt i Veliajt është mbështetur nga Edi Rama, duke akuzuar se kryeministri ka influencuar që Veliaj të mos vendosej në masën e sigurisë të ndalimit për të dalë jashtë vendit.
“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë”, tha Berisha.
Tutje, ai ka pohuar “Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë”.
“Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale.
Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij.
Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai”.
Erion Veliaj u morë në pyetje të enjten nga prokurorët e SPAK ku në reagimin publik, Prokuroria e Posaçme tha se kryetari i bashkisë së Tiranës është nën hetim për katër vepra penale.