12 C
Tetovo
E martë, 22 Prill, 2025
BallinaLajmeSali Berisha: Konsensusi për rezolutën për Kosovën, arritje e madhe kombëtare!

Sali Berisha: Konsensusi për rezolutën për Kosovën, arritje e madhe kombëtare!

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur arritje të madhe kombëtare konsensusin mazhorancë-opozitë për rezolutën lidhur me situatën në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit që i mori jetën rreshterit Afrim Bunjaku.

Komentet Berisha i bëri teksa i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë, ku do të zhvillohet seanca plenare dhe për rrjedhojë do të miratohet edhe rezoluta që dënon aktet e Beogradit në mbështetje të grupeve terroriste si dhe bën thirrje për hetimin e sulmit terrorist të Banjskës.

“Për interesat e kombit shqiptar, që nga viti 2013 gjer më sot, ne kemi qenë në pozita të kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës me PS-në dhe Edi Ramën dhe kjo është shumë e njohur. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, mendoj unë se duhet të ndërtohen së pari në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme. Sado që jemi vëllezër, nuk jemi një shtet dual, jemi dy shtete të pavarura. Dhe në këtë kontekst, respektimi i vullnetit të zgjedhësve në dy shtetet, është kusht themelor se është respektim i sovranitetit. Kjo nuk ka ndodhur në këto 10 vite, të mos hyj këtu për të listuar të gjitha aktet. Mendoj se konsensusi shënon një arritje të madhe kombëtare. Se u ra dakord të mbështetej plotësisht rezoluta e Kosovës. Këtë prisnin shqiptarët e Kosovës nga parlamenti i Shqipërisë, priste çdo shqiptar që e do këtë vend“, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se rezoluta do të ketë edhe dy rekomandime të tjera.

“Tani mund të thoni ju se çfarë ndodhi? Aq sa mund ta merrni vesh se çfarë ndodhi me Ballkanin e Hapur, me promotorin e tij, mund të merret vesh. Po për ne, rëndësi ka që deputetët sot do të votojnë mbështetjen e plotë për rezolutën e Parlamentit të Kosovës dhe ky është një akt shumë i rëndësishëm në një moment shumë të rëndësishëm”, tha Berisha.

Konsensusi i arritur një ditë më parë mes Gazment Bardhit dhe Bledi Çuçit i dakordësoi palët për të shkuar në seancën e Kuvendit me një projektrezolutë dhe jo dy siç edhe u tentua fillimisht, ç’ka do të bënte që si rrjedhojë ajo e opozitës do të rrëzohej.

/Shqip.com

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments