I pyetur për paralajmërimin e zëvendësit të tij në Qeveri, Izet Mexhitit, i cili në një aktivitet partiak tha se brenda vitit do të punësohen 2 deri në 3 mijë shqiptarë në administratë, kryeministri Hristijan Mickoski, i prerë:“Nuk ka një gjë të tillë, as nuk do të ketë, deri sa unë jam kryetar i Qeverisë maqedonase”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Sipas Mickoskit, edhe po të ketë punësime, duhet të jenë njerëz kompetentë, e jo punësime sipas përkatësisë etnike.
“Çelësa partiak, çelësa etnik, këtë nuk duhet ta diskutojmë, e kemi thënë, që do të bëjmë ligj që të ketë përfaqësim të drejtë etnik, sepse këtë që e kanë bërë paraprakët, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi”, shtoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Disa ditë më parë zëvendëskryeministri i parë Mexhiti, siç u citua nga partia, në një aktivitet partiak është zotuar se brenda një viti Qeveria do të realizojë më shumë punësime sesa janë bërë gjatë dy mandateve të kaluara nga subjektet tjera politike shqiptare, nga ku tha se do të punësohen 2-3 mijë shqiptarë në administratë. Mirëpo kur e pyetëm për këtë, tha se ka folur për transformim të vendimeve.
“Po në vazhdimësi ka nevojë për punësime të reja, kam folur për transformimet e vendimeve në shëndetësi të cilat vite të tëra kanë mbetur, 10 vite me kontrata në vepër, ka vendim të Qeverisë për transformim të vendimeve dhe janë 1500 punësime, po ashtu do të vazhdohet edhe në sektorët e tjerë”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.
Opozitarja LSDM vazhdon me akuzat. Zëdhënësja Bogdanka Kuzeska thotë se partitë në pushtet kanë bërë marrëveshje politike për të mbushur administratën me njerëz të tyre.
“Është padyshim një marrëveshje politike mes VLEN-it dhe DPMNE-së, gjegjësisht Mickoskit dhe Mexhitit, për të mbushur me forcë administratën publike me njerëz të afërt me partitë në pushtet”, pohoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Për zotimin e Mexhitit për punësime reagim pati edhe nga ministri i Administratës Publike Minçev i cili e luti që “të mos sillet si Liza në Botën e Çudirave” duke premtuar diçka të pamundur pa shkelur procedurat ligjore. Mexhiti iu kundërpërgjigj duke i kërkuar Minçevit që “ta braktisë retorikën e Dimitar Apasievit dhe të sillet si ministër i të gjithë qytetarëve”.
Po përskaj këtyre, kryeministri mendon se marrëdhëniet mes partnerëve qeverisës janë shkëlqyeshëm.
“Tani ndonjëherë e dini, ndonjëherë disa individë duan në atë mënyrë, mundet nuk them që është ashtu dhe më pak, të rrisin ndonjë rejting, ndonjë përqindje, mendojnë që në atë mënyrë munden të fitojmë kredibilitet më të madh ose legjitimitet në opinion, por mirë është ajo, është debat i shëndetshëm, edhe brenda Qeverisë është e shëndetshme. Relacionet janë të mirë, janë të shkëlqyeshme”, shtoi tha Hristijan Mickoski, kryeministër.